Saturday, February 28, 2026
spot_img
HomeLajmeLeibovich: Kosova dhe Shqipëria e dinë se çka janë sulmet e Iranit

Leibovich: Kosova dhe Shqipëria e dinë se çka janë sulmet e Iranit

Drejtoresha e Komitetit Amerikano-Izraelit, Avital Leibovich, në një intervistë ekskluzive për Info Magazine në Klan Kosova nga Jerusalemi, ka folur për sulmet e Iranit ndaj Izraelit, me rreth 40 raketa të lëshuara deri tani. Ajo tregoi edhe për mobilizimin e popullit pas konfliktit të nisur sot nga ShBA-ja dhe Izraeli ndaj Iranit.

“Para më shumë se tetë orëve ka filluar sulmi parandalues në Iran nga forcat amerikane dhe ato të Izraelit ndaj një numri të madh caqesh që lidhen me raketat balistike, planet bërthamore dhe elementet e tjera të regjimit iranian”, tha ajo.

Sipas Leibovich, megjithëse Irani deri tani ka lëshuar rreth 40 raketa balistike drejt Izraelit, kjo është një shifër e vogël krahasuar me arsenalin prej rreth 1.500 raketash që besohet se posedon. Pavarësisht numrit të kufizuar të sulmeve, ajo thotë se i gjithë Izraeli është nën alarm, duke detyruar qytetarët të hyjnë e të dalin nga vendstrehimet.

“Nuk do të thosha se ka panik, por ka tensione të larta dhe një shpresë të madhe që ditët apo javët e ardhshme të sjellin ndryshim në rajon. Nëse rrethanat e lejojnë dhe populli iranian ka mundësinë të ndërrojë regjimin… për këtë po shpresojmë të gjithë”, tha ajo.

Leibovich theksoi se derisa Hezbollahu dhe Huthit, dy fronte të rëndësishme në konfliktet e mëparshme, nuk i janë bashkuar Iranit në këtë sulm, kjo situatë mund të ndryshojë në çdo moment.

Ajo u ndal edhe te pritjet e Izraelit, duke theksuar se është ende shumë herët për parashikime. “Pritshmëria e parë është të sigurohemi se çdo pjesë e këtij regjimi tmerrësisht të egër ka marrë fund. E dyta, t’i shmangim rreziqet e menjëhershme”.

Drejtoresha paralajmëroi se Irani nuk është kërcënim vetëm për Izraelin, duke kujtuar sulmet e tij ndaj shteteve të tjera në rajon si Arabia Saudite, Katari dhe Kuvajti. “Ky është një kërcënim global. Një botë pa këtë regjim do të ishte më e sigurt për të gjithë”, u shpreh ajo.

Ajo nuk u shpreh e befasuar me deklaratën e presidentit Donald Trump, i cili tha se Irani paraqet rrezik edhe për Evropën, dhe kujtoi se marrëveshja e presidentit Barack Obama me Iranin në vitin 2015 nuk përfshinte raketat balistike. Sipas saj, diapazoni i raketave iraniane ka kaluar nga 2.000 kilometra atëherë në 4.000 kilometra sot, duke alarmuar edhe vendet evropiane.

Në këtë kontekst, Leibovich e lidhi situatën me përvojat e Kosovës dhe Shqipërisë, duke e vendosur theksin te siguria e dy vendeve.

“Dy vendet për të cilat po flasim, Kosova dhe Shqipëria, kanë vuajtur nga sulmet iraniane, qoftë ato kibernetike, qoftë diplomatë që dolën të mos jenë diplomatë, apo diçka tjetër. Liderët e Kosovës dhe Shqipërisë e dinë shumë mirë se çfarë përfaqëson regjimi iranian”, theksoi ajo.

Sipas saj, përkrahja që po vjen për Izraelin nga Ballkani ka peshë të madhe. “Nuk jam aspak e befasuar për përkrahjen. Ballkani nuk është larg nesh dhe ne ndajmë interesa e vlera të përbashkëta. Kjo ka shumë rëndësi dhe jam shumë e lumtur për përkrahjen që po marrim nga Kosova dhe Shqipëria”.

Leibovich foli edhe për gjendjen brenda Iranit, duke thënë se populli duket i ndarë. “Irani ka 90 milionë banorë dhe rreth 30% janë përkrahës të Gardës Revolucionare. Ndryshimi nuk pritet të vijë nesër në mëngjes. Ky është një proces. Tullë për tullë, ky mur i regjimit iranian do të shembet”.

Ajo foli edhe për përfshirjen e Komandës Qendrore të Ushtrisë Amerikane në rajon, duke e cilësuar bashkëpunimin mes ushtrisë amerikane dhe asaj izraelite si shumë të ngushtë dhe të thellë. Sipas saj, koordinimi i gjatë dhe planifikimi i përbashkët sollën sulmin e sotëm dhe tregojnë nivelin e besimit në raportet mes dy vendeve.

Leibovich theksoi se çdonjëri nga presidentët amerikanë, përfshirë Joe Bidenin, ka kontribuar për Izraelin, duke e cilësuar mbështetjen amerikane si bipartizane.

Ajo u shpreh e lumtur edhe për faktin që Kosova është shtet anëtar i Bordit të Paqes. “E pashë presidenten tuaj në Uashington në ceremoni. Sa më shumë vende të jenë pjesë e Bordit të Paqes, aq më mirë është për të gjithë”.

Në fund, ajo shpjegoi edhe mënyrën e paralajmërimit të qytetarëve në Izrael: paralajmërime telefonike në momentin kur radarët zbulojnë lëshimin e një rakete dhe sirena në zonat ku rreziku afrohet, si dhe masat e emergjencës të ndërmarra, mbyllja e shkollave, hapësirës ajrore dhe zhvendosja e pacientëve në objekte nëntokësore. /Klankosova.tv

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT