Avital Leibovich, kryetare e Komitetit Amerikano-Hebraik, ka dilema për përgjigjen e Hamasit që i ka dhënë planit 20-pikësh të presidentit amerikan Donald Trump për Gazën.
Në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, ajo ka pohuar se edhe herëve të tjera Hamasi kishte deklaruar tjetër gjë, por kishte pasur veprime të tjera.
Leibovich mendon se Hamasi ka gjasa të mos çarmatoset sipas kërkesës së Trumpit në planin e tij.
“Tani jemi në një situatë të re, në të cilën situatë pritet që Hamasi të lirojë pengjet dhe vetëm atëherë do të ketë negociata për pikat tjera të marrëveshjes. Më duhet të them se përgjigja e tyre tregon se Hamasi vërtet nuk ka ndryshuar shumë, sepse Hamasi nuk po do që të çarmatoset dhe çarmatosja është pjesë e planit 20-pikësh të presidentit Donald Trump, dhe Hamasi nuk ka thënë asgjë në këtë aspekt, në përgjigjen që e ka dhënë dje”, ka thënë Leibovich.
E njëjta ka theksuar se nuk është e sigurt se kush do ta kontrollojë Gazën. Sipas saj, Hamasi nuk ka dhënë ndonjë detaj lidhur me këtë çështje.
“Nëse e shihni përgjigjen e tyre, ata nuk e përmendin se janë të gatshëm të largohen nga Gaza dhe të mos kenë më ndonjë ndikim aty. Kështu, këto janë dy gjëra që kurrë nuk kanë ndryshuar dhe pyetja është se çka do të ndodhë tani. Mendoj se nesër do të shohim një delegacion izraelit që do të shkojë në Kajro, kryeqytetin e Egjiptit, sa për informacion, fluturimi nga këtu atje zgjat vetëm një orë, dhe ata do të negociojnë me partnerët amerikanë”, tha kryetarja e Komitetit Amerikano-Hebraik.
Hamasi tha të premten se kishte rënë dakord të lironte të gjithë pengjet izraelite, të gjallë ose të vdekur, sipas kushteve të propozimit të presidentit të SHBA-së Donald Trump për Gazën, dhe sinjalizoi gatishmërinë për të hyrë menjëherë në negociata të ndërmjetësuara për të diskutuar detajet.
Në një kopje të deklaratës, të parë nga Reuters, Hamasi dha përgjigjen e tij ndaj planit 20-pikësh të Trumpit, pasi presidenti i SHBA-së i dha grupit militant palestinez afat deri të dielën për ta pranuar ose refuzuar propozimin. Trump nuk ka thënë nëse kushtet do të jenë subjekt i negociatave, siç po kërkon Hamasi.
Vlen të përmendet se Hamasi nuk tha nëse do të binte dakord me një kusht për çarmatosje, një kërkesë nga Izraeli dhe SHBA-ja që e ka refuzuar më parë. /Klankosova.tv
The post Leibovich: Hamasi s’do që të çarmatoset, sipas planit të Trumpit (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.