Mbrojtësi Leard Sadriu është pjesë e grumbullimit të Kombëtares së Kosovës për dy ndeshjet e muajit tetor ndaj Sllovenisë dhe Suedisë.
Para sfidës së parë kundër Sllovenisë që zhvillohet të premten në stadiumin “Fadil Vokrri”, Sadriu ka dhënë një prononcim për Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), ku ka ndarë emocionet dhe vlerësimet e tij për atmosferën në ekip.
“Kur merret ftesa prej Kombëtares është një ndjenjë shumë e mirë, ndjenja më e mirë që mund të përjetojë një futbollist. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e ekipit”, ka deklaruar Sadriu fillimisht.
Sadriu ka theksuar gjithashtu se ambientimi në ekipin kombëtar ka qenë shumë i lehtë, falë mikpritjes dhe cilësisë së grupit ekzistues.
“Ambientimi ka qenë shumë i lehtë edhe shumë i mirë, pasi që është grup shumë i mirë i djemve, një grup shumë cilësor dhe jemi të gjithë së bashku. Nuk ka qenë aspak e vështirë të ambientohem dhe të jem pjesë e grupit”, shtoi ai.
Sadriu beson se ardhjet e reja në ekip vetëm sa e rrisin cilësinë dhe përmendi si shembull rezultatin pozitiv ndaj Suedisë në ndeshjen e fundit.
“Normalisht, me prurjet e reja vetëm shtohet cilësia në grup. Duke marrë parasysh rezultatin e ndeshjes së fundit me Suedinë, kemi dëshmuar që kemi cilësi për të marrë rezultate të mira edhe kundër kombëtareve të forta, siç është Suedia. Prandaj, çdo ardhje e re është një cilësi më shumë për ekipin”, ka theksuar ai.
Duke folur për përballjen me Slloveninë, Sadriu e pranon që kundërshtari është i fortë, por beson në forcat e grupit të Kosovës.
“E dimë që është një kundërshtar i fortë, me lojtarë shumë cilësorë brenda grupit, por besoj që ne kemi një grup shumë të mirë dhe cilësor dhe shpresoj në rezultat pozitiv”.
Në fund, mbrojtësi nuk la pa përmendur rolin e tifozëve “Dardanët”, të cilët sipas tij, kanë gjithmonë një ndikim të madh në motivimin e lojtarëve.
“Çdo ndeshje, tifozeria ka një rol shumë të rëndësishëm për ne në fushë. Prandaj, prezenca në numër sa më të madh e ‘Dardanëve’ do të jetë një ndihmesë shumë e madhe për ne që ta japim maksimumin në fushë,” përfundoi Sadriu./Telegrafi/