Rafael Leao nuk është më pjesë e grumbullimit të Kombëtares së Portugalisë për ndeshjen e radhës kundër Hungarisë, që zhvillohet të martën në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026.
Sipas raportimeve, anësori i AC Milan është larguar nga kampi stërvitor pas vendimit të trajnerit Roberto Martinez.
Leao nuk mori pjesë në stërvitjen e së dielës për shkak të “formës së dobët”, një gjendje që ka ngritur shqetësime në stafin teknik.
Mësohet se trajneri Martinez ka qenë i pakënaqur me paraqitjen e tij në ndeshjen ndaj Irlandës, ku Leao u aktivizua në minutën e 61-të, por nuk arriti të bëjë diferencën.
Forma e dobët e Leaos është reflektuar edhe në klubin e tij, AC Milan, ku këtë sezon ende nuk ka luajtur një ndeshje të plotë.
Në dy ndeshjet e fundit me “kuqezinjtë”, ai është futur si zëvendësues në pjesën e dytë.
Portugalia aktualisht ndodhet në fazën e tetë të kualifikueseve dhe do të kërkojë tre pikët e radhës kundër Hungarisë. /Telegrafi/