Friday, February 13, 2026
spot_img
HomeLajmeLDK votoi kundër, Gashi: Rezoluta e Hagës hesht për provat e Serbisë,...

LDK votoi kundër, Gashi: Rezoluta e Hagës hesht për provat e Serbisë, lëshim serioz

Ish-deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka reaguar pas miratimit të “Rezolutës së Hagës”, ku partia në të cilën ai vepron, votoi kundër.

Përmes një postimi në Facebook, Gashi tha se rezolutës i mungon thelbi, transmeton Klankosova.tv.

Sipas tij, rezoluta nuk kërkon ndalimin e përdorimit si provë të çdo materiali të prodhuar nga institucionet e Serbisë apo nga struktura që kanë bashkëpunuar me to.

“Nëse ekziston një minimum i logjikës juridike dhe historike, atëherë duhet të jetë e qartë se provat e prodhuara nga aparati shtetëror i një regjimi që ka ushtruar represion sistematik mbi popullin e Kosovës nuk mund të trajtohen si provë. Heshtja për këtë çështje është lëshim serioz”, ka shkruar ai.

Gashi po ashtu thotë se rezoluta e miratuar flet për proces të drejtë, por sipas tij, nuk vendos asnjë mekanizëm konkret për garantimin e tij.

“Nuk kërkon standarde të qarta mbi kohëzgjatjen e paraburgimit, mbi barazinë e palëve, mbi transparencën reale ndaj publikut të Kosovës. Një deklarim abstrakt për “gjykim të drejtë” nuk mjafton kur liria dhe dinjiteti i individëve janë në lojë”.

Tutje, ish-deputeti tha se Kuvendi nuk denoncon gjuhën juridike dhe deklarative të Prokurorisë së Specializuar, e cila në shumë raste ka përdorur formulime që tejkalojnë kornizën e akuzës dhe krijojnë perceptim të fajësisë kolektive para vendimit gjyqësor. “Një prokurori nuk është tribunë politike dhe as mekanizëm për ndërtim narrativesh historike”.

Ndryshe, siç thotë Gashi, ‘Rezolutës së Hagës’ i mungon një hap konkret drejt së vërtetës së plotë.

“Në emër të pajtimit dhe drejtësisë, Kuvendi duhej të kërkonte themelimin e një trupe të veçantë shtetërore për hetimin dhe zbardhjen e vrasjeve politike të viteve 1998–2005. Pa adresimin e krimeve të pasluftës dhe pa ndriçimin e atyre plagëve, drejtësia mbetet selektive dhe e paplotë”, ka shkruar ai.

Dhe si fund, Gashi theksoi se “në vend të një zotimi formal për “afirmimin e vlerave të luftës”, Kuvendi duhej të artikulonte qartë se mbetet i angazhuar për një drejtësi të vërtetë, të paanshme dhe të barabartë për të gjithë – drejtësi që nuk përdoret si instrument politik dhe që nuk cenon dinjitetin kolektiv të një populli”.

“Kosova nuk ka nevojë për dokumente simbolike. Ka nevojë për qëndrime të qarta, për mbrojtje aktive të interesit publik dhe për akte që prodhojnë pasoja juridike dhe politike. Një rezolutë që thotë gjithçka në mënyrë të përgjithshme, në fakt nuk thotë asgjë”, përfundon ai reagimin.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT