Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, ka shpjeguar arsyet e mosvotimit të deputetëve të partisë së saj gjatë miratimit të rezolutës në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Ajo tha se mos përfshirja e amendamentit të propozuar nga LDK-ja për zbardhjen e vrasjeve politike në rezolutë ishte arsyeja pse deputetët e LDK-së vendosën të mos marrin pjesë në votim.
“Kemi ardhur në seancë duke mos qenë të përfshirë në grupin konsultativ për këtë rezolutë… Meqë kryetarja nuk e vuri në votim këtë amendament, ne jemi rezervuar nga votimi. E ndjeva përgjegjësi për ta bërë këtë sqarim publik”, tha Lushaku pas përfundimit të seancës së jashtëzakonshme.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, i cili propozoi rezolutën, tha se miratimi i saj përbën një hap politik të rëndësishëm për ta kthyer procesin në Hagë në binarë.
“Është një moment politik për të cilin jemi të lumtur që kemi pasur një konsensus kaq të madh. Është një hap i rëndësishëm për ta kthyer procesin në binarë”, tha Gruda.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së me 90 vota për. Një deputet i LVV-së, Fatos Geci, ka votuar kundër, ndërsa LDK-ja nuk mori pjesë dhe nuk pati asnjë abstenim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


