Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu ka deklaruar para gazetarëve se ende nuk ka asnjë emër të proceduar për kandidaturë presidenciale.
Ajo tha se as Kryesia e Kuvendit nuk është thirrur për të caktuar seancë për zgjedhjen e presidentit.
“Deri në këtë moment, partia e parë e mban përgjegjësinë për të prezantuar një emër për president edhe për ta thirrur seancën me 30 nënshkrime. Deri në këtë moment s’kemi ndonjë kandidat që është prezantuar. Kemi shprehur gatishmërinë tonë që të marrim pjesë edhe në dialog, edhe në procesin e zgjedhjes, ashtu siç e kemi edhe obligim, edhe siç i takon secilës parti parlamentare në një shtet demokratik. Për këtë e kemi shfaqur gatishmërinë tonë, po varet nga partia më e madhe parlamentare, e cila i ka numrat edhe për ta përmbyllur këtë proces edhe për t’i dhënë kahe. Është vërtetë për keqardhje që nuk kemi qartësi të procesit dhe nuk kemi ndonjë emër për president”, ka thënë ajo.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


