Kryetari dhe nënkryetarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës u mblodhën mbrëmë në një takim rreth pesëorësh, i cili nga Lumir Abdixhiku u quajt takim joformal.
Aty pas takimit, Abdixhiku tha se dorëheqjen e tij do ta paraqesë në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së, transmeton Klankosova.tv.
Analisti politik, Selatin Retkoceri në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova, tha se për shkak të zgjatjes së mbledhjes për pesë orë, mund të ketë një grup njerëzish që nuk e pranojnë dorëheqjen e kreut të LDK-së.
“Mendoj se paralajmërimi i zotëri Abdixhikut menjëherë pas zgjedhjeve se do të japë dorëheqje në Kuvendin e Përgjithshëm, veç e kemi pritur që ai do ta paraqesë dorëheqjen. Por zgjatja e mbledhjes për pesë orë tregon se aty ka pasur sigurisht mospajtime të mëdha mes grupit të ngushtë të LDK-së. Unë mendoj që aty ka kërkesa nga njerëz që i ka të afërt dhe nuk duan të japë dorëheqje. Kjo lidhet drejtpërdrejt me presidenten, meqë tanimë është i njohur fakti që Lumir Abdixhiku e ka përkrahur Vjosa Osmanin”, tha Retkoceri.
Ndërkohë, avokati Azdren Bytyqi tha se LDK mund të jetë në krizë të zgjedhjes së një kryetari të ri.
“Mendoj se LDK është në një krizë të një lideri të ri, që mund ta përfaqësojë frymën e re të LDK-së, pra një figurë e re e cila mund të jetë një imazh i duhur i udhëheqjes dhe ballafaqimit me pushtetin aktual”, u shpreh avokati.
Ai shtoi se LDK mund të jetë duke bashkëbiseduar me VV-në për bashkëqeverisje.


