E premte, 13 Qershor, 2025
spot_img
HomeLajmeLDK-ja sot prezanton planin 15-pikësh për Qeverinë e Unitetit

LDK-ja sot prezanton planin 15-pikësh për Qeverinë e Unitetit

Lidhja Demokratike e Kosovës do ta prezantojë sot planin 15-pikësh për një Qeveri gjithëpërfshirëse, si përpjekje për të dalë nga kriza politike që ka paralizuar institucionet e vendit.

Përmes një njoftimi për media, LDK ka bërë të ditur se konferenca do të mbahet të enjten (sot), më 12 qershor, nga ora 11:00, ku kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, do ta prezantojë këtë dokument politik.

“Nesër (e enjte), më datë 12 qershor, në orën 11:00, Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie, ku kryetari Abdixhiku shpalosë agjendën 15 pikëshe të Qeverisë së Unitetit Kombëtar”, thuhet në njoftimin e partisë.

Abdixhiku më herët e ka quajtur këtë dokument “përmbajtjen e vetme për dalje nga ngërçi i krijuar”, duke e vlerësuar si një udhërrëfyes politik në kohë bllokade.

“Një dokument që jep drejtim, kthjelltësi dhe qëllim vet unitetit; deri në zgjedhje të reja parlamentare”, ka thënë ai.

“E propozova sepse shteti është bllokuar. Sepse nuk ka Kuvend funksional. Sepse nuk ka Qeveri funksionale. Sepse nuk ka përfaqësim legjitim. Sepse, mbi të gjitha, nuk ka asgjë tjetër të sinqertë që po ndodhë në prapaskenë, që na dërgon drejt një përafrimi e një zgjidhje – çfarëdo qoftë ajo”, kishte shkruar Abdixhiku.

Katër muaj pas zgjedhjeve parlamentare, vendin e ka kapluar një krizë e thellë politike, për shkak të moskonstituimit të Kuvendit. Arsyeja kryesore është mospasja e votave të nevojshme për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, pozitë për të cilën Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun.

Pavarësisht insistimit të VV-së, partitë e tjera kanë kërkuar që të propozohet një emër tjetër, i cili – sipas tyre – do të mund të sigurojë konsensus të gjerë parlamentar. Për shkak të kësaj bllokade, Kuvendi është duke u mbledhur çdo 48 orë, por pa asnjë përparim.

Dje ka dështuar edhe seanca e 30-të me radhë, duke thelluar më tej krizën institucionale.

Me prezantimin e planit 15-pikësh, LDK synon të ofrojë një rrugëdalje, ndërkohë që vendi po hyn në muajin e pestë pa institucione funksionale.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT