László Krasznahorkai, fitues i Nobelit për Letërsi më 2025

László Krasznahorkai, fitues i Nobelit për Letërsi më 2025

Nga: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Shkrimtari hungarez, László Krasznahorkai, është shpallur fitues i Nobelit për Letërsi, “për veprën e tij mbresëlënëse dhe vizionare që, në mes të një tmerri apokaliptik, riafirmon fuqinë e artit”.


“László Krasznahorkai është shkrimtar i madh epik në traditën e Evropës Qendrore, që shtrihet nga Kafka te Thomas Bernhard dhe karakterizohet nga absurdi dhe eksesi grotesk”, ka thënë Anders Olsson, kryetar i Komitetit të Nobelit.

I lindur në Xhula të Hungarisë, në vitin 1954, Krasznahorkai u bë i njohur për herë të parë me romanin e tij të parë Tangoja e djallit [Sátántangó], në vitin 1985 – një portretim i zymtë dhe magjepsës i një komuniteti rural në shkatërrim e sipër [Njerëz që besohej se ishin të vdekur, shfaqen në skenë dhe konsiderohen nga të gjithë të pranishmit si lajmëtarë të shpresës ose të fundit të botës, ndërsa elementët djallëzorë fshihen në faktin se të ardhurit manipulojnë banorët që shpresojnë shpëtimin]. Romani fitoi çmimin e librit më të mirë të përkthyer në anglisht [Best Translated Book], pothuajse tri dekada më vonë, në vitin 2013.

Shpesh i përshkruar si postmodern, Krasznahorkai njihet për fjalitë e tij të gjata e të ndërlikuara, temat distopike dhe melankolike, dhe për një intensitet të pandërprerë që ka bërë që kritikët ta krahasojnë me Gogolin, Melvillein dhe Kafkan. Tangoja e djallit u adaptua në një film shtatorësh nga regjisori Béla Tarr, me të cilin Krasznahorkai ka pasur një bashkëpunim të gjatë krijues.

Karriera e Krasznahorkait është formësuar po aq nga udhëtimet sa edhe nga gjuha. Ai e la për herë të parë Hungarinë komuniste në vitin 1987, duke kaluar një vit në Berlinin Perëndimor me një bursë studimi, dhe më pas gjeti frymëzim në Azinë Lindore – veçanërisht në Mongoli dhe Kinë – për vepra të tilla si I burgosur i Urgës [The Prisoner of Urga] dhe Shkatërrimi dhe trishtimi nën qiej [Destruction and Sorrow Beneath the Heavens]. Por, ai ka shkruar gjithashtu një sërë veprash të frymëzuara nga përshtypjet e thella që i kanë lënë udhëtimet e tij në Kinë dhe Japoni, si romani i tij i vitit 2003 Një mal në Veri, një liqen në Jug, një shteg në Perëndim, një lumë në Lindje [Északról hegy, Délről tó, Nyugatról utak, Keletről folyó], botuar në anglisht në vitin 2022) – një rrëfim misterioz me pjesë të fuqishme lirike që zhvillohet në juglindje të Kjotos.

Gjatë punës për romanin Lufta dhe lufta [War and War], ai udhëtoi gjerësisht nëpër Evropë dhe jetoi për një kohë në apartamentin e Allen Ginsbergut në Nju-Jork, duke e përshkruar mbështetjen e poetit legjendar të bit-poezisë si thelbësore për përfundimin e romanit.

Adhuruesit e tij janë të shquar: Susan Sontag e quajti “mjeshtri bashkëkohor hungarez i apokalipsit”, ndërsa WG Sebald vlerësoi universalitetin e vizionit të tij.

Në vitin 2015, Krasznahorkai u bë shkrimtari i parë hungarez që fitoi Çmimin Ndërkombëtar “Man Booker”.

Në një intervistë për Guardian në vitin 2012, Krasznahorkai tha se nuk donte kurrë të bëhej shkrimtar sepse nuk mund ta imagjinonte veten në rrethet letrare. /Telegrafi/