Shumë njerëz e përdorin shamponin si produkt kozmetik, por mjekët theksojnë se funksioni i tij është të pastrojë dhe mbrojë lëkurën e kokës. Zgjedhja e gabuar mund të çojë në yndyrëzim, zbokth ose rënie flokësh
Kur zgjedhin shamponin, shumica e njerëzve mendojnë për mënyrën se si flokët të jenë me shkëlqim, të butë dhe të lehtë për t’u krehur. Por, sipas dermatovenerologut Dr. Tadas Raudonis, kjo është qasja e gabuar, sepse shamponi, para së gjithash, duhet të kujdeset për lëkurën e kokës, jo për vetë flokun.
Shamponi nuk është për flokët – por për skalpin
Siç shpjegon eksperti për mediat lituaneze, qëllimi kryesor i shamponit shpesh keqkuptohet: ai nuk shërben vetëm për të “larë” flokët, por për të pastruar skalpin dhe për të mbajtur të shëndetshme qelizat e lëkurës.
Dr. Raudonis thekson se shamponi nuk është i destinuar për të gjithë gjatësinë e flokëve, veçanërisht tek gratë me flokë të gjatë:
“Nuk rekomandohet fërkimi i fortë i shamponit në majat apo në gjithë gjatësinë e flokëve.
Qëllimi i tij është të pastrojë skalpin, të largojë produktet për stilim, yndyrën, qelizat e vdekura dhe papastërtitë që grumbullohen në lëkurë.”
Pra, shamponi duhet parë si produkt për kujdesin ndaj lëkurës së kokës, jo si kozmetikë për bukurinë e flokut. Për këtë arsye, duhet zgjedhur sipas tipit të lëkurës, jo sipas aromës apo reklamave, transmeton Telegrafi.
Si të zgjidhni shamponin e duhur
Nëse flokët ju yndyrosen shpejt, Dr. Raudonis këshillon të përdorni shampo për lëkurë të yndyrshme ose seboreike, që në etiketë mbart shenjën DS. Gjithashtu, për ata që kanë këtë problem, rekomandohet një herë ose dy herë në javë përdorimi i shampos pastruese të thellë, një lloj “pilingu” për skalpin.
Pilingët, sipas tij, mund të jenë:
- Mekanikë – me grimca të imta që heqin qelizat e vdekura;
- Kimikë – që përmbajnë acide si salicilik, i cili ndihmon në tretjen e yndyrës dhe papastërtive.
shutterstock
Nëse skalpi është i thatë ose ju kruhet
Në raste të tilla, mjeku rekomandon shampo me përbërës hidratues si urea ose me formulë të butë, të përshtatshme për lëkurë të ndjeshme.
“Nëse lëkura e kokës është e thatë, e tendosur dhe flokët lahen rrallë (çdo 4–5 ditë), atëherë duhet zgjedhur shampo për skalp të thatë, që ushqen dhe zbut lëkurën”, thekson mjeku.
Ku duhet blerë shamponi
Sipas Dr. Raudonis, shamponi nuk duhet blerë në supermarkete apo parfumeri, por në farmaci: “Ne rekomandojmë që shamponi të merret në farmaci, sipas tipit të lëkurës. Frizerët mund të ofrojnë produkte që aromatizojnë dhe japin shkëlqim flokëve, por kjo është më shumë merite e balsamit sesa e shamponit.”
Shamponët “luksozë”, shton ai, mund të jenë shtesë e këndshme, por jo e domosdoshme: “Janë produkte të mira, por më shumë për kënaqësi estetike – kur nuk kemi probleme specifike si zbokthi apo irritimi, dhe duam thjesht që flokët të duken bukur e të kenë aromë të mirë.”
Si ta dini çfarë tipi është lëkura juaj e kokës
Shpesh, tipi i skalpit është i ngjashëm me atë të lëkurës së fytyrës, por jo gjithmonë. “Një person me lëkurë të yndyrshme në fytyrë zakonisht ka prodhim të shtuar sebumi edhe në kokë”, shpjegon ai. Megjithatë, tek ata me lëkurë të thatë, atopike ose të ndjeshme, edhe skalpi priret të jetë i tillë.
Nëse nuk jeni të sigurt, mjeku sugjeron të konsultoheni me dermatolog, i cili mund të analizojë lëkurën me dermatoskop për një diagnozë të saktë.
Rreziku nga dielli për flokët dhe skalpin
Dr. Raudonis paralajmëron se dielli dëmton jo vetëm flokët, por edhe lëkurën e kokës: “Rrezet e diellit e thajnë flokun dhe zvogëlojnë pigmentin, duke e bërë atë më të brishtë. Njëkohësisht, ekspozimi i zgjatur ndaj diellit mund të rrisë yndyrën, zbokthin dhe irritimin e skalpit.”
Ky rrezik është veçanërisht i madh tek personat me flokë të rralluar ose pjesë të zbuluara, sepse: “Në ato zona, lëkura është më e ndjeshme dhe më e ekspozuar ndaj djegies, pigmentimeve dhe plakjes së parakohshme.”
Në përfundim, dermatovenerologu thekson: “Kujdesi për flokët fillon nga skalpi. Zgjidhni shamponin për lëkurën tuaj, jo për aromën apo shkëlqimin dhe flokët do t’ju falënderojnë vetë” /Telegrafi.