Largimi ishte çështje ditësh, ylli i Man Cityt tani pranë rinovimit deri më 2031

Largimi ishte çështje ditësh, ylli i Man Cityt tani pranë rinovimit deri më 2031

Manchester City është shumë pranë arritjes së marrëveshjes me Savinhon për një kontratë të re afatgjatë, që do ta mbajë 21-vjeçarin në “Etihad” deri në vitin 2031.

Sulmuesi brazilian humbi tre ndeshjet e para të sezonit për shkak dëmtimi, por është rikthyer me forcë, duke shënuar golin e tij të parë këtë edicion në fitoren 2-0 kundër Huddersfield Town në Carabao Cup.


Gjatë verës, Tottenham Hotspur u lidh ngushtë me emrin e tij, madje sipas “The Athletic”, klubet diskutuan një marrëveshje të mundshme në vlerë rreth 50 milionë euro.

Megjithatë, City refuzoi menjëherë duke e bërë të qartë se nuk dëshironte ta shiste lojtarin. Burime të tjera nënvizuan se Spurs vazhduan interesimin, dhe vetë Savinho ishte i hapur për lëvizje, por çështja nuk avancoi më tej.

Savinho shkëlqeu sezonin e kaluar me Cityn, duke luajtur 48 ndeshje, me 3 gola dhe 13 asistime, pasi më herët kishte bërë një sezon mbresëlënës te Girona në La Liga (11 gola, 10 asistime), ku e ndihmoi skuadrën spanjolle të siguronte për herë të parë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.

I rritur te Atletico Mineiro, Savinho debutoi në futbollin profesionist që në moshën 16-vjeçare. Pas transferimit te Troyes në 2022, ai kaloi edhe një sezon huazim te PSV Eindhoven, përpara se të shpërthente në Spanjë me Gironën.

Me 13 paraqitje për kombëtaren e Brazilit dhe vetëm 21 vjeç, City e sheh si një nga projektet më të rëndësishme afatgjata të klubit. Edhe Pep Guardiola ka qenë i qartë për të ardhmen e tij.

“Savinho ka një potencial të jashtëzakonshëm. Vetëm vitin e kaluar luajti mbi 3,000 minuta. Shpresoj që të qëndrojë me ne për shumë vite”./Telegrafi/