Lansohet platforma digjitale për fuqizimin e agrobizneseve në Kosovë

Lansohet platforma digjitale për fuqizimin e agrobizneseve në Kosovë

Është lansuar platforma AGRO B2B, një hapësirë digjitale e krijuar për të lidhur bizneset dhe për të fuqizuar sektorin bujqësor në Kosovë dhe rajon.

Kjo platformë synon të shërbejë si urë lidhëse për agrobizneset kosovare, duke u mundësuar prodhuesve të prezantojnë produktet e tyre, të bashkëpunojnë me partnerë potencialë dhe të kenë qasje në tregje të reja ndërkombëtare.


Përmes saj, prodhimet vendore fitojnë më shumë dukshmëri dhe shanse për tregti në një treg global që kërkon produkte të sigurta, të gjurmueshme dhe cilësore.

Në ceremoninë e lansimit, fjalët hyrëse i mbajtën:

Naim Krasniqi, Menaxher i Përgjithshëm i Fondacionit AgroDev,

Astrid Wein, Drejtore e Caritas-it Zviceran në Kosovë,

Lulzim Rafuna, Kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës,

Zef Dedaj, u.d. Drejtor Ekzekutiv i KIESA-s.

Folësit përgëzuan nismën dhe theksuan rëndësinë e bashkëpunimit për ta bërë platformën funksionale, dinamike dhe të dobishme për komunitetin e agrobizneseve.

Prezantimin për funksionalitetet dhe mundësitë që ofron AGRO B2B e bëri Viola Xhemajli nga Fondacioni AgroDev.

Ngjarja mblodhi përfaqësues të institucioneve, organizatave partnere, shoqatave kombëtare, agrobizneseve, fermerëve liderë, përfaqësues të bankave, institucioneve mikrofinanciare dhe Fondit Kosovar për Garanci Kreditore.

Kjo iniciativë u realizua nga Fondacioni AgroDev Kosovo, me mbështetjen e Programit EREA që implementohet nga Caritas Switzerland in Kosovo dhe financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim (ADC).