Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Ilir Krasniqi, ka qenë ndër lojtarët më të spikatur në dy ndeshjet e fundit të “Dardanëve” në tetor, barazimin ndaj Sllovenisë dhe fitoren historike në udhëtim ndaj Suedisë. Ai kishte qenë startues edhe në fitoren e parë ndaj Suedisë në “Fadil Vokrri”.
Me një paraqitje të qetë, të sigurt dhe plot personalitet, ai ka fituar vlerësime për kontributin e tij në mbrojtje, duke konfirmuar se është bërë një pjesë e rëndësishme e këtij ekipi që po rritet me çdo ndeshje.
Në një intervistë për Telegrafin, Ilir Krasniqi theksoi se skuadra ka dhënë maksimumin në këto përballje dhe se rezultatet e fundit po tregojnë një realitet të ri për Kombëtaren e Kosovës. Ai nënvizoi se grupi po kalon nëpër një periudhë zhvillimi dhe se puna e bërë nga stafi teknik dhe lojtarët po jep frytet e veta, duke rikthyer besimin dhe entuziazmin te tifozët.
Ilir Krasniqi, muri i Kosovës
“U zhvilluan tri ndeshje shumë të rëndësishme dhe besoj se paraqitjet ishin mjaft pozitive, sidomos nga ana e ekipit në përgjithësi. Luftuam në maksimum, duke marrë parasysh cilësitë e kundërshtarëve që kishim përballë”, ka thënë Krasniqi.
Pas rezultateve të arritura, mbrojtësi i Kolosit në kampionatin ukrainas e sheh këtë periudhë si një moment që mund të shënojë një kthesë të madhe për ekipin. Sipas tij, Kosova është në rrugën e duhur dhe çdo ndeshje tashmë ka rëndësinë e një finaleje.
“Besoj se ky është një moment historik për ne, edhe pse ka ende shumë punë për të bërë. Çdo ndeshje tani për ne është si një finale, ndaj duhet të jemi të përqendruar dhe të japim gjithçka në fushë”, deklaroi ai.
Krasniqi para ndeshjes ndaj Suedisë
Krasniqi foli edhe për atmosferën në ekip dhe përgatitjet nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda, duke theksuar se motivimi është gjithmonë në nivelin më të lartë. Ai u shpreh se për të veshur fanellën e Kosovës është privilegj dhe përgjegjësi e madhe.
“Foda gjithmonë na thotë se duhet të jemi gati. Unë isha i motivuar maksimalisht që të jap kontributin tim për Kosovën, dhe mendoj se e treguam këtë në fushë”, pohoi mbrojtësi.
Në lidhje me përballjet me kundërshtarët e klasit të lartë si Alexander Isak, Viktor Gyökeres dhe Benjamin Šeško, Krasniqi pranoi se janë teste të vështira, por edhe mundësi për t’u rritur si futbollist.
Ilir Krasniqi në aksion përballë Alexander Isak
“Të përballesh me këta emra është e vështirë sepse e dimë cilësinë e tyre. Ata mund të të ndëshkojnë në çdo moment. Ishte e vështirë gjatë gjithë ndeshjeve, por ne e kishim menduar si t’i ndalonim dhe e arritëm këtë falë lojës kolektive dhe përkushtimit për njëri-tjetrin”, ka thënë Krasniqi për Telegrafin.
Sa i përket formës me klubin e tij në Ukrainë, mbrojtësi kosovar u shpreh se është i kënaqur me ecurinë e skuadrës dhe me mënyrën se si po përshtatet në kampionatin e ri.
“Edhe me ekipin kemi pasur një fillim të mirë të kampionatit. Kam munguar në një ndeshje për shkak të një lëndimi të vogël, por në përgjithësi është një aventurë shumë pozitive. Do të vazhdoj të punoj fort, të jap maksimumin dhe pastaj të shohim si do të rrjedhin gjërat”, përfundoi ai.
Festa e Ilir Krasniqit dhe Kreshnik Hajrizit
Me këtë ritëm dhe qetësi në lojë, Ilir Krasniqi po konfirmohet si një nga shtyllat e mbrojtjes së Kosovës, ndërsa paraqitjet e tij ndaj Sllovenisë dhe Suedisë kanë treguar pjekuri, vendosmëri dhe një lidership të qetë që i jep siguri gjithë skuadrës. /Telegrafi/