Kuvendi i Kamenicës miraton buxhetin komunal për vitin 2026

Kuvendi i Kamenicës miraton buxhetin komunal për vitin 2026

Kuvendi Komunal i Kamenicës ka miratuar Buxhetin Komunal për vitin 2026, si dhe parashikimet buxhetore për vitet 2027 dhe 2028.

Vendimi u mor gjatë vazhdimit të mbledhjes së nëntë të rregullt të Kuvendit, të kryesuar nga Liridon Kastrati.


Në seancë ishin të pranishëm kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, delegatë të Kuvendit si dhe përfaqësues të tjerë. Pas shqyrtimit të rendit të ditës, të gjitha pikat u miratuan me shumicë votash, përcjell Telegrafi.

Krahas miratimit të buxhetit, u aprovua edhe vendimi për buxhetimin e bashkëfinancimit dhe krijimin e një kodi të ri për projektin “Ndërtimi i varrezave në fshatin Karaçevë e Epërme”, i cili do të realizohet në bashkëpunim me Shoqatën “Firishta” nga ky fshat.

Pikat tjera të rendit të ditës përfshinin shqyrtimin e procesverbalit nga mbledhja e mëparshme, pyetje të legjislativit për ekzekutivin dhe diskutime të ndryshme.

Me miratimin e buxhetit për vitin 2026, Komuna e Kamenicës ka hedhur bazat për planifikimet zhvillimore dhe financiare për tri vitet e ardhshme. /Telegrafi/