Kuvendi i bllokuar, Koci tregon dy opsionet e mundshme të Gjykatës Kushtetuese

Kuvendi i bllokuar, Koci tregon dy opsionet e mundshme të Gjykatës Kushtetuese

Tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare, Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituar plotësisht. Problemi kryesor lidhet me zgjedhjen e nënkryetarit nga Lista Serbe, për të cilën deputetët e kësaj partie kanë dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit ka marrë vendim për masë të përkohshme, duke ndaluar çdo veprim të deputetëve të zgjedhur, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë. Ky vendim do të vlejë deri më 30 shtator.

Njohësi i çështjeve politike, Melazim Koci, në një intervistë për Telegrafin, ka analizuar situatën politike, duke theksuar se gjatë këtyre muajve Lëvizja Vetëvendosje nuk ka treguar vullnet për të formuar shumicën parlamentare.


“Mendoj që nuk ka pasur vullnet fillimisht të Vetëvendosjes për të bërë shumicën, ata vërtet nuk e kanë pasur shumicën, por nuk ka pasur as vullnet të theksuar për të bërë shumicën. Këto ditë ne hetojmë mungesë të interesimit të kryeministrit në detyrë për të bërë numrat, nëse problemi rreth nënkryetarit serb të Kuvendit tejkalohet, pra ka pasur një mosinteresim për të bërë shumicën”, theksoi ai.

Mes tjerash ai tha se Gjykata Kushtetuese ka një vakuum serioz juridik, i cili u ka ndihmu subjekteve politike që ta bëjnë këtë bllokadë dhe që të mos hetohet që në esencë ata janë shkaktarë të bllokadës.

– YouTube youtube.com

“Do të ishte normale që nëse partia e parë nuk arrin ta bëjë shumicën për kryetar parlamenti brenda të zëmë pesëmbëdhjetë dite, siç është për rastin e Qeverisë, t’i jepet partisë së dytë. Nëse as partia e dytë nuk arrin ta bëjë shumicën, të shkohet në zgjedhje, sepse është evidente dhe do të thotë që asnjëra palë nuk ka shumicën as për Qeverinë dhe unë mendoj që klasa ynë politike duke nisë nga Presidentja, nëse nuk iniciojmë amendamentimin e Kushtetutës të kësaj çështje, edhe në rastin e nënkryetarit serb e njëjta gjë është, do të thotë u garantohet posti i nënkryetarit, pastaj kërkohet shumica, njëra dhe tjetra nuk shkojnë”, potencoi ai.

Koci deklaroi se nëse ” kjo çështje nuk do të amendamentohet, në zgjedhjet e ardhshme, prapë në shumë gjasa do të ballafaqohemi me të njëjtën bllokadë, në të njëjtën formë si këta shtatë-tetë muaj”.

Koci tha se Gjykata Kushtetuese tashmë ka dy mundësi.

“Tani, Gjykata Kushtetuese i ka dy mundësi i ka: një do të pohojë që Parlamenti është konstituar, por që funksionalizohet në çastin që zgjedhet nënkryetari serb. Pra, do të kthente procedurën për zgjedhjen e nënkryetarit serb në takimet e parë të parlamentit. E dyta, nuk përjashtoj mundësinë që edhe të kthejë në tërësi, do të thotë procedurën, pohon që Parlamenti nuk është i konstituar dhe se duhet të kthehet në pikën zero zgjedhja e nënkryetarit serb ose në pako me pakicat tjera joserbe, sepse në bazë të praktikës së zgjedhjes së tyre të mëhershme, praktikave të mëhershme, ata është dashur të zgjedhen në pako”, ka pohuar ai.

Në intervistën për Telegrafin, Koci tha se nuk sheh ndonjë mundësi tjetër aktualisht dhe nuk pret që të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme në këtë moment. /Telegrafi/