Kushte minimale – me çka po përballen të moshuarit në Skenderaj? (VIDEO)

Kushte minimale – me çka po përballen të moshuarit në Skenderaj? (VIDEO)

Me detyrën si drejtor, Kushtrim Fazliu mori mbi supe hallet e 25 banorëve që jetojnë në Shtëpinë e të Moshuarve “Zaim Bajrami” në Skenderaj. E halli që nuk po gjen zgjidhje tash e dy vjet për të moshuarit e kësaj shtëpie, është ashensori i cili qëndron jashtë funksionit.

Mungesa e ashensorit ua ka pezulluar banorëve aktivitetet e përditshme e mjaft të rëndësishme për shëndetin e tyre.

Ngujimi në dhomë, malli për të dalë në shëtitje e madje edhe ushqyerja jo e duhur janë vetëm nga disa problemet që po u sjellë mosfunksionimi i këtij ashensori.

Me ankesa këta banorë nuk kursyen as drejtorin e ri të kësaj shtëpie, Kushtrim Fazliun.

Që nga janari kur mori këtë detyrë, drejtori Fazliu për Kiks Kosovën tha se kjo qe ankesa më e shpeshtë e ndoshta e vetme e tyre. Si pasojë e kësaj mungese, nuk kalon ditë pa një telash të ri në këtë shtëpi.

Sipas drejtorit Fazliu, telashet më të mëdha janë momentet emergjente me këta të moshuar. Sipas tij, problem më vete qëndron bartja e banorëve deri tek ekipet emergjente, gjë që me ndihmën e ashensorit do zgjidhej shumë lehtë.

Për KIKS Kosovën, Fazliu rrëfen se duke pasur raste nga më të ndryshmet brenda asaj shtëpie, stafi detyrohet që disa personave t’iu dërgojë shujtat ditore të ushqimit në dhomë.

Sipas tij, do ishte më mirë që kjo praktikë me ndihmën e ashensorit të evitohej ngase mund të ketë mungesë të pastërtisë në këto raste.

Premtimi për rregullimin e ashensorit nga komuna, Fazliut tanimë i është dhënë andaj për Kiks Kosovën ai thotë se është duke pritur procedurat që të përfundojnë e të ia nisin punës.

Sipas tij, kjo shtëpi po përballet edhe me mungesë të stafit infermieror, gjë që po ua vështirëson punën.

Një gjë e tillë, sipas tij, po ndodhë pasi që Ministria e Financave nuk po përfillë rregulloren që hartoi Ministria e Drejtësisë në mars të këtij viti.

Ndiqni kronikën nga Kiks Kosova:

The post Kushte minimale – me çka po përballen të moshuarit në Skenderaj? (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.