Kush u çudit me rezultatet e zgjedhjeve? (VIDEO)

Kush u çudit me rezultatet e zgjedhjeve? (VIDEO)

12 tetori ishte një ditë e gjatë dhe tejet e rëndësishme për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Këtë ditë tetori, nën rrezet e diellit që zgjatën deri në muzg, qytetarët e Kosovës po përcaktonin të ardhmen e katër viteve të ardhshme të komunave të tyre, transmeton klankosova.tv.

E akoma më e gjatë, dita e dielë, ishte për ata që nën ethe pritnin rezultatet pas orës 19:00, kur edhe çdo qendër e votimit mbyllet. Kush tjetër përveç atyre, që synonin fronin në komunat përkatëse.

Dikush do të dilte i pari, dikush i fundit, parashikimit e rezultateve veçse kishin filluar të dilnin gjithkah.

Në 38 komunat, vetëm 40 % e popullsisë sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, qytetarët me të drejtë vote, shfrytëzuan këtë të drejtë themelore.

Gara e ngushtë mes kandidatëve, e lufta për karrigën kryesore, u ndje qysh në fushatën zgjedhore kur secila parti shpalosi planprogramet qeverisëse.

Madje momentet qesharake nuk munguan, kur kandidatët me vendosmëri deklaronin fitoren.

Gara për “fronin e Hyjneshës” ishte më e ashpra. 10 kandidatët “me mish e shpirt” po mundoheshin t’i mblidhnin votat.

Komuna e Prishtinës padyshim që mori vëmendjen e këtij procesi zgjedhor. Kjo shkaku i tri subjekteve më të mëdha politike që shpallën kandidaturën për kryeqytetin: LDK, PDK dhe LVV.

LDK, me Përparim Ramën, që udhëhoqi 4 vitet e fundit, Uran Ismail me PDK si dhe Hajrullah Ceko me LVV-në, bënë “zhurmë” më të madhe politike.

Rrugën nuk ia lëshuan edhe dy kandidatët e tjerë, Bekë Berisha nga AAK si dhe Besa Shahini nga PSD, por që exit poll-et dhe rezultatet preliminare të KQZ-së i renditën të katërtin dhe të pestin.

Bazuar në rezultatet e KQZ-së, Përparim Rama mori 35 % të votave, derisa Hajrullah Cekun me 31%, rezultat ky që i dërgoi në balotazh.

Rezultati më befasues në këto zgjedhje ishte në Mitrovicë të Jugut. Derisa sondazhet renditën kandidatin e PDK-së, Arian Tahirin të parin me 51%.

Rezultat ky që pati ndryshim drastik në të dhënat e para të KQZ-së, pasi për vetëm 28 vota më shumë PDK-ja printe kundër Faton Pecit nga LVV-ja. Për çka edhe kjo komunë do të shkojë në balotazh.

E në një komunë tjetër gara më interesante është ajo për vendin e dytë.

Fitoren në rundin e parë me një gotë verë, nuk arriti ta festojë Smajl Latifi i AAK-së në Rahovec.

Ai arriti të marrë besimin edhe për një mandat tjetër vetëm nga 37% e rahovecasëve, rezultat ky që e dërgoi në balotazh.

Kundërshtarin e Latifit për balotazh do të vendosin votat e diasporës.

E në Gjakovë, festa për Ardian Gjinin e AAK-së, kishte filluar menjëherë pas orës 19:00, kjo nga rezultatet e sondazheve që e bënë atë fitues me 50% të votave.

Mirëpo, festa ndaloi atëherë kur KQZ-ja po përditësonte çdo minutë rezultatet. Kjo pasi Gjini kishte marrë 47% të votave, kurse kundërshtarin për balotazh do ta ketë Ardian Golën e LVV-së me të cilin fitoi 32% të votave.

E pazakontë në këtë komunë ishte edhe vdekja e një kandidati disa muaj para zgjedhjeve. Nikollë Prekaj mori 52 vota sipas KQZ-së, edhe pse ishte i vdekur.

Këtë KQZ-ja e ka arsyetuar se emri i tij ka figuruar në listë për shkak të afateve ligjore.

E për komunën që ndodhet në zemër të Kosovës, nuk mbeti asgjë pa u thënë deri në ditën finale.

”Dada Razë”, siç duket nuk arriti ta mund Ramiz Lladrovcin në Drenas.

Ky koment erdhi pas prishjes së raporteve me kryetarin e PDK-së Memli Krasnqi, i cili me ironi deklaronte se PDK-ja do të fitonte në Drenas pa asnjë dyshim edhe nëse “Dada Razë” do të garonte me Lladrovcin.

Lladrovci ishte kandidat i pavarur, e kundërshtarin më të fortë e pati pikërisht nga PDK-ja, Petrit Hajdarin.

PDK-ja, e bindur se në këtë komunë bindshëm do të triumfonte, nuk rezultoi ashtu.

Me 52 % të votave, Ramiz Lladrovci e mposhti ish-partinë e tij.

Garë për balotazh do të ketë edhe Peja. Kryetari aktual nga LDK-ja Gazmend Muhaxheri, mori vetëm 46 % të votave, kurse i dyti u rendit Taulant Kelmendi nga LVV-ja me 27 % të votave.

Në balotazh do të jetë edhe Fushë Kosova, kjo ishte paraparë edhe në sondazhe, me disa dallime të vogla nga rezultatet e KQZ-së, që kandidati LVV-së, Valon Prebreza mori 45%, kurse Besnik Osmani i LDK-së, 36%.

Këto zgjedhje lokale bindshëm i fitoi Sami Lushtaku nga PDK, me përqindje më të lartë në nivel vendi nga komunat me shumicë shqiptare me 83.5 % të votave.

Fitoren e mori edhe Agim Aliu nga PDK, me 56 % të votave. Aliu do ta udhëheqë këtë komunë të Ferizajt për mandatin e tretë.

Në rundin e parë fitoi edhe Ilir Ferati në Istog, me 58% të votave.

Lipjani poashtu e votoi përsëri Imri Ahmetin e LDK-së, me 51% të votave.

Fitues në Podujevë doli Shpejtim Bulliqi nga LVV me 53%, Kamenicë Kadri Rahimaj me 50% nga po e njëjta parti, si dhe Qemajl Aliu në Shtime me mbi 50% të votave.

Derisa tri komunat veriore, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan, i mori Lista Serbe.

Poashtu edhe komunat më të vogla, Graçanicë, Kllokot si dhe Partesh i fitoi Lista Serbe.

The post Kush u çudit me rezultatet e zgjedhjeve? (VIDEO) appeared first on Klan Kosova.