Juristja e medias, Flutura Kusari ka thënë se po vazhdon terrori politik i pushtetit dhe përpjekjet për cenzurë tek redaktorët dhe gazetarët e RTK-së .
Këtë deklaratë ajo e bëri në një postim në llogarinë e saj në Facebook duke iu referuar nisjes së procedurave disiplinore nga ana e menaxhmentit të transmetuesit publik ndaj gazetarëve dhe redaktorëve që kanë përgatitur dhe transmetuar një kronikë mbi deklaratën e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), e cila u publikua para katër ditësh në mbështetje të gjashtë redaktorëve të larguar nga ekrani.
“ Pak herët këtë mëngjes, por kurrë nuk është shumë herët me tregu terrorin, presionin e pastër politik, censurën, fyerjen, denigrimin, poshtërimin, nënçmimin, frikën, intimidimin që menaxhmenti i RTK-së është duke e ushtruar ndaj redaktorëve dhe gazetarëve të pavarur dhe profesionalë të RTK-së”.
“Para 4 ditësh, AGK-ja e ka publikuar një deklaratë solidariteti me gjashtë redaktorët e RTK-së që janë larguar nga ekrani si pjesë e censurës dhe presionit politik (këtë deklaratë e kam nënshkru edhe unë). Kjo deklaratë është dhënë, me të drejtë, në edicionin e lajmeve në RTK”.
“Besoni ose jo, menaxhmenti ka filluar procedurë disiplinore ndaj personave që e kanë përgatitur lajmin dhe që e kanë transmetuar, nën arsyetimin se nuk është transmetuar edhe qëndrimi i menaxhmentit. Fakti është që menaxhmenti nuk ka reaguar atë ditë!!!”
“Nëse menaxhmenti ka pritur që redaktorët dhe gazetarët të gërmojnë e të gjejnë deklarata të vjetra sa për balancim, kur vetë menaxhmenti e ka pasur mundësinë të reagojë, atëherë i bie që menaxhmenti është duke u frymëzuar tej mase nga stili i Viktor Orban në Hungari për mënyrën e menaxhimit të transmetuesit. Pushteti i tij e ka shkatërruar transmetuesin publik pikërisht me kësi metodash”, shkruan Kusari.
Ajo njoftoi se procdeurat është duke i ndjekur me shumë vëmendje.
“Secili person që beson në integritetin e informacionit, në të drejtën tonë që të informohemi nga gazetarët dhe redaktorët dhe jo nga partia, duhet të shqetësohet tej mase për zhvillimet në RTK dhe denigrimin që po i ndodh çdo minute”.
“Për këtë është përgjegjëse Lëvizja Vetëvendosje, e cila ia ka mësyrë me shkatërru RTK-në, me e gjunjëzu derisa ta vendosë nën kontroll absolute”, tha Kusari, transmeton Klankosova.tv.
The post Kusari: Vazhdon terrori politik i pushtetit dhe përpjekjet për cenzurë tek redaktorët dhe gazetarët e RTK-së appeared first on Klan Kosova.