Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se ulja e TVSH-së dhe akcizës për naftën do të krijonte një boshllëk të madh financiar në buxhetin e shtetit. Ai ka bërë të ditur se Qeveria është duke përgatitur Pakon e Inflacionit 2.0 në vlerë prej 200 milionë eurosh për të përballuar rritjen e çmimeve.
Gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit për çmimet e naftës, Kurti ka theksuar se në kohë sfiduese është e lehtë të kërkohen zgjidhje të shpejta, por Qeveria synon zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjata. Ai ka vënë në dukje se situata me rritjen e çmimeve të naftës dhe energjisë ka sfiduar edhe ekonomitë më të mëdha në botë, ndërsa në Kosovë ende nuk ka pasur mungesë furnizimi me derivate.
“Në këtë kohë sfiduese, çmimet e naftës dhe energjisë kanë luhatje të vazhdueshme dhe është e lehtë të kërkohen zgjidhje të shpejta. Por detyra jonë nuk është të gjejmë rrugën më të lehtë, por ta zgjedhim rrugën më të drejtë, më të dobishme dhe më të qëndrueshme për vendin tonë. Situata aktuale ka sfiduar edhe ekonomitë më të mëdha në botë. Te ne efekti më dramatik nuk ka dhënë ende shenjat e veta pasi nuk ka pasur kufizim të furnizimit dhe as humbje të derivateve”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se kërkesat e parashtruara në këtë seancë nuk janë të reja. Ulja e TVSH-së dhe akcizës duket si zgjidhje e thjeshtë, por sipas tij është e kushtueshme dhe me efekt të pasigurt. Kurti ka kujtuar rastet e mëparshme kur është ulur TVSH-ja te produktet esenciale dhe gastronomia, pa ulur ndjeshëm çmimet.
“Ashtu siç e kemi parë kur është bërë ulja e TVSH-së në produkte esenciale nga 18% në 8% në vitin 2016, çmimet e tyre nuk kanë rënë. E njëjta është rifshaqur kur është ulur TVSH-ja te gastronomia gjatë pandemisë, çmimet nuk janë ulur”, ka shtuar ai.
Kryeministri ka theksuar se TVSH-ja dhe akciza janë burime shumë të rëndësishme të buxhetit dhe heqja e tyre do të krijonte vështirësi financiare, duke shpjeguar se vetëm heqja e 16 centëve akcizë për litër do t’i kushtonte buxhetit rreth 10 milionë euro në muaj.
Kurti ka njoftuar se Paketa e Inflacionit 2.0, në vlerë prej 200 milionë eurosh, synon mbështetje direkte për qytetarët dhe bizneset, pasi subvencionimi i produkteve si nafta nuk garanton që përfitimi të arrijë tek qytetarët.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


