Kurti takon ministrin e Jashtëm të Omanit në ShBA – e fton për vizitë në Kosovë

news image

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka zhvilluar një takim me ministrin e Jashtëm të Sulltanatit të Omanit, Sayyid Badr bin Hamad bin Hamood Al Busaidi.

Edhe pse Kosova dhe Omani nuk kanë marrëdhënie diplomatike formale, raportet ndërmjet dy vendeve u vlerësuan konstruktive.

“Kryeministri në detyrë Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen e Omanit ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke theksuar progresin ekonomik e demokratik që vendi ka bërë, si dhe mundësitë për investime të huaja.”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Ai përmendi potencialin për bashkëpunim në fusha si ekonomia, tregtia, kultura, arsimi dhe turizmi, dhe e ftoi ministrin Al Busaidi për një vizitë zyrtare në Kosovë, së bashku me një delegacion të lartë shtetëror.

“Kurti e ftoi ministrin Al Busaidi, bashkë me një delegacion të nivelit të lartë, për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, për të parë e për të hulumtuar mundësitë e reja të bashkëpunimit, që do të thellonin mirëkuptimin ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë,” thuhet në njoftim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/