Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takimin e tij të parë bilateral me kryeministrin e Belgjikës, Bart De Wever, në Bruksel – qytetin që shërben si qendër e Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Në një postim në Facebook, Kurti theksoi rëndësinë e këtij takimi për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, duke vënë në pah mbështetjen që Belgjika i ka dhënë Kosovës, sidomos në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe NATO.
“Folëm për mundësitë e reja që shtojnë shkëmbimet, thellojnë bashkëpunimin dhe forcojnë raportet tona,” shkroi Kurti.
Ai kujtoi gjithashtu se Belgjika, në vitin 2023, ngriti zyrën e saj diplomatike në Kosovë në nivel ambasade, ndërsa këtë vit njoftoi se do të mirëpresë atasheun e mbrojtjes së Kosovës. Vetëm dy muaj më parë, Ministria e Mbrojtjes së Kosovës dhe ajo e Belgjikës nënshkruan një Deklaratë të Qëllimit të Përbashkët në fushën e mbrojtjes, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ushtarak.
Ky takim vjen në një moment kur Kosova po kërkon të forcojë aleancat me shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s, dhe Belgjika konsiderohet një nga partneret kyçe në këtë proces.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!