Drejtori i Institutit “Octopus” dhe profesori Arben Fetoshi e ka komentuar konfirmimin që presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ia bëri deklaratave të homologut të saj amerikan, Donald Trump, se ky i fundit e ka parandaluar një sulm ushtarak të Serbisë ndaj Kosovës.
Fetoshi tha se pavarësisht konfirmimit të Osmanit mbi deklaratat e Trumpit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se ai nuk ishte në dijeni për diçka të tillë.
“Ndërkohë që nga kryeministri kemi parë një deklaratë që ai nuk ishte në dijeni të diçkaje të tillë, që nënkupton që me sa duket qeveria vazhdon të mos ketë komunikim për çështje kaq vitale me aleatin tonë kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“E kam parasysh që Trumpi e përsëriti deklaratën e tij edhe gjatë një takimi me kryeministrin Netanyahu në kuadër të përpjekjeve për armëpushim në Gaza dhe është një përmendje e konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës për disa herë radhazi në kohën e fundit, që i referohet një roli të tij të rëndësishëm në parandalimin e një sulmi eventual nga ana e Serbisë”, tha Fetoshi në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Tutje, Fetoshi u shpreh se ajo që duhet thënë qartë për secilin është se nga Serbia ka pasur në vazhdimësi plane për sulme ndaj Kosovës.
“Jemi të vetëdijshëm për një agresion të vazhdueshëm propagandistik nga Serbia kundër Kosovës që ka për qëllim ta minojë rendin kushtetues dhe ta minojë Kosovën në skenën ndërkombëtare”.
“Në këto rrethana të muajve të fundit, mund të flasim edhe për një taktikë të presidentit Vuçiq që ta përdorë Kosovën në vazhdimësi duke qenë nën presion në rritje nga protestat që gjithnjë e më tepër janë bërë problem për pushtetin e tij autoritar”, tha ai.
The post Kurti s’ishte në dijeni për planet e Serbisë për sulme, Fetoshi: Tregon se qeveria s’komunikon me ShBA appeared first on Klan Kosova.