Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se po presin aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e konstitutimit të Kuvendit të Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
“Po e presim aktgjykimin,” ka thënë Kurti në detyrë.
Gjykata Kushtetuese më 30 shtator 2025 ka nxjerrë vendim me të cilin ka konstatuar se seanca konstituive e Kuvendit nuk ka përfunduar për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e pakicave serbe. Deputetët janë të obliguar që ta përfundojnë seancën konstituive brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
Në vendimin e Kushtetueses, i cili pranoi kërkesën e deputetit Igor Simiqi dhe nëntë deputetëve të tjerë, thuhet se:
“TË KONSTATOJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.”
Gjykata urdhëron që seanca të përfundojë brenda afatit prej 12 ditësh dhe që deputetët gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të komunitetit serb të veprojnë në interesin më të mirë të Republikës dhe në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Po ashtu, Kushtetuesja ka vendosur të vazhdojë masën e përkohshme deri në hyrjen në fuqi të këtij aktgjykimi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!