Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq si dhe veprimeve të vazhdueshme nga akterë shtetërorë dhe jo-shtetërorë të Serbisë, të cilat i ka cilësuar si ndërhyrje serioze në procesin zgjedhor komunal të tetorit në Kosovë.
Sipas Kurtit, veprimet e Serbisë, përfshirë premtimet për vende pune, joshjet përmes përfitimeve financiare dhe deklaratat e zyrtarëve të Beogradit se vetëm Lista Serbe mbron interesat e komunitetit serb në Kosovë, janë metoda të përsëritura që kanë për qëllim të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve në vend.
“Misioni për vëzhgimin e BE-së në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 kishte evidentuar një sërë ndërhyrjesh të Serbisë në zgjedhjet tona. Ndërhyrja në zgjedhjet e shteteve të tjera është një formë e qartë e cenimit të demokracisë dhe sovranitetit të atij shteti”, u shpreh Kurti, përcjell Telegrafi.
Ai shtoi se pavarësisht gjetjeve të misionit vëzhgues, Serbia nuk ka pësuar asnjë pasojë nga Bashkimi Evropian, duke e inkurajuar kështu që të vazhdojë me të njëjtat praktika.
“Kjo ndërhyrje që po bën Serbia në zgjedhjet në Kosovë është dhe më e rëndë se ajo e Rusisë në Evropë”, deklaroi më tej kryeministri.
Kurti i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të dënojë ndërhyrjen e Beogradit zyrtar në zgjedhjet demokratike të Kosovës dhe të vendosë sanksione ndaj Serbisë, e cila është shtet kandidat për anëtarësim në BE.
“Veprimet e Serbisë bien ndesh me parimet e fqinjësisë së mirë dhe përbëjnë shkelje të qartë të Marrëveshjes së Brukselit”, përfundoi Kurti. /Telegrafi/