Kurti: Qeveria e re prezantohet deri më 26 tetor

news image

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se qysh këtë javë do t’i nisë bisedimet për formimin e qeverisë Kurti 3. 

Kurti ka thënë se nëse s’ka qeveri Kurti 3, atëherë ka zgjedhje të reja parlamentare. 

“Dita e fundit kur do të mund të mbahet seanca ku unë mund ta prezantoj kabinetin qeveritar është 26 tetori, këto ditë jemi të përqendruar në analizën e zgjedhjeve lokale, por shumë shpejt, qysh këtë javë do të fillojmë edhe bisedat për qeverinë qendrore, sepse Kosovës i duhet edhe një mandat i qeverisë sonë. Neve na duhet një mandat i ri në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit…Duhet të kemi një mandat të rregullt i cili padyshim që do të fillojë posa ta nxjerrim në seancë Kuvendi përbërjen e re të qeverisë Kurti 3”, tha Kurti në konferencë për media. 

Ai tha se kur bisedimet rezultojnë të suksesshme do të thirret seanca për votimin e qeverisë. 

“Nuk do të thotë që seanca do të mbahet më 26, ai është afati i fundit, por në momentin kur ne konsiderojmë që komunikimi dhe bisedat kanë rezultuar të suksesshme, ne pa vonesë nuk e presim 26 tetorin, ai është afati i fundit”, është shprehur Kurti.

Kurti ka thënë se për qeverinë Kurti 3 duhet të bëhen gati edhe të tjerët. 

“Nëse s’ka qeveri Kurti 3, padyshim se jemi të gatshëm për zgjedhje të reja parlamentare… Njëherë, plani ynë është për qeverinë Kurti 3. Për këtë po përgatitemi, besoj se për këtë duhet të përgatiten edhe tjerët”, tha ai. 

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Kurti: Qeveria e re prezantohet deri më 26 tetor appeared first on Sinjali.