Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është i pranishëm në seancën gjyqësore që ka nisur në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ndaj Faton Klinakut, i akuzuar për kanosje të Kurtit.
Klinaku, së bashku me një person tjetër me inicialet N.S., akuzohen nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për kanosje ndaj Kurtit përmes rrjeteve sociale më 30 gusht të vitit 2023.
Klinaku kishte deklaruar në fillim të gushtit se as ai dhe as avokati i tij nuk ishin njoftuar për ngritjen e aktakuzës ndaj tij, por kishte shtuar se “mezi pret” të ballafaqohet me Kurtin në gjykatë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dorëzuar aktakuzën ndaj dy personave të cilët dyshohen se kanë kanosur kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Sipas aktakuzës, Faton Klinaku akuzohet se më 29 gusht 2023, në Prishtinë, me dashje dhe me qëllim që ta frikësojë dhe detyrojë tani të dëmtuarin, Albin Kurti, në cilësinë e tij si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të ndërmarrë ose mos ndërmarrë veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës së tij zyrtare, e kishte kanosur publikisht përmes rrjetit social Facebook, duke postuar shkrime kërcënuese.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!