Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në Prishtinë Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në vizitën e saj të pestë që prej vitit 2021.
Vizita, sipas Kurtit, është dëshmi e marrëdhënieve të mira ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Në takim, kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të von der Leyen në procesin e integrimit evropian të Kosovës.
Ai theksoi rëndësinë që Komisioni Evropian të dorëzojë sa më parë pyetësorin për anëtarësim dhe të japë statusin e vendit kandidat për Kosovën.
Palët diskutuan për thellimin e bashkëpunimit me BE-në, përparimin në sundimin e ligjit, siguri, zhvillimin demokratik dhe rritjen ekonomike.
Kurti nënvizoi përkushtimin e qeverisë për të mbrojtur proceset demokratike nga ndërhyrjet e jashtme, duke iu referuar zgjedhjeve lokale të mbajtura të dielën e kaluar, të cilat i cilësoi të lira dhe demokratike.
Në kuadër të nismës “Single Market Highway”, kryeministri i dorëzoi Presidentes von der Leyen tri letra zyrtare, me të cilat Kosova shpreh interesin për të nisur dialogun strategjik me BE-në në tre fusha kyçe: bujqësi, teknologji të informacionit dhe komunikimit (TIK) dhe industri të mbrojtjes.
Në fund të takimit, Kurti falënderoi von der Leyen për “udhëheqjen e qëndrueshme dhe partneritetin e ngushtë me popullin e Kosovës”, si dhe për vëmendjen e saj të shtuar ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor.