Kryeministri Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ), ka thënë se do të investohen 1 miliard euro për mbrojtjen kombëtare.
Ai tha se me këto fonde do të krijohen baza industriale, përfshirë edhe një fabrikë municionesh në Gjakovë.
I pyetur nëse ka mësuar diçka nga Zvicra për sa i përket ushtrisë, kryeministri Kurti tha se po.
Megjithatë, ai u shpreh se vendi është më i afërt me modelet e Suedisë dhe shteteve baltike në dizajnin e forcave të armatosura, “veçanërisht në konceptin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse”.
“Situata e tyre është e qartë: nëse ke një fqinj të madh, duhet të mendosh ndryshe”.
“Ju po i referoheni Serbisë, e cila është përforcuar dukshëm vitet e fundit”, pyetet Kurti.
“Ta themi kështu: përballë kërcënimit, nuk mund të lejojmë kaos. Na duhet një rend i qartë. Në rast fatkeqësie ose lufte, çdo qytetar duhet ta dijë saktësisht rolin që ka”, u shpreh kryeministri.
“Me fjalë të tjera, si në rast zjarresh apo tërmetesh, ashtu edhe në një konflikt të armatosur?”, pyetet sërish ai.
“Saktë. Për më tepër, ne po e fusim edhe trajnimin e përgjithshëm të sigurisë për të gjithë, duke ndjekur shembullin e Polonisë, me qëllim që të trajnojmë veçanërisht të rinjtë”, theksoi Albin Kurti në këtë intervistë.
Ai potencoi se Kosova dëshiron të bëhet anëtare e NATO-s.
“Kosova duhet dhe do të jetë në gjendje ta mbrojë veten. Ne nuk e shohim veten si forcë të armatosur të izoluar, por si pjesë të NATO-s. Në këtë kuadër, ne po blejmë pajisje ushtarake nga vendet aleate të NATO-s – nga armët kundërtanke te dronët dhe artileria mobile”.
“Ushtria jonë po pajiset me aftësi moderne në këto fusha”.
“Ne nuk balancojmë mes Lindjes dhe Perëndimit. Ne jemi qartësisht të përkushtuar ndaj vlerave të demokracisë perëndimore. Ne synojmë t’i bashkohemi Bashkimit Evropian (BE) dhe NATO-s. Siç dihet, Turqia është anëtare e NATO-s – prandaj ne blejmë pajisje edhe nga atje, përfshirë dronët TB2 nga Bayraktar dhe sisteme të tjera turke. Sa i përket Rusisë, ne gjithmonë kemi mbajtur një distancë të shëndetshme mes njëri-tjetrit”, tha mes tjerash kreu i ekzekutivit.
Tutje, Kurti tha se posa ndikimi i Rusisë të bie, “veçanërisht në Serbi dhe Republika Sërpska, rajoni do të stabilizohet”.
“Brenda gjashtë vendeve të Ballkanit nuk ekziston as vullneti dhe as kapaciteti për t’u përfshirë në dhunë ndërshtetërore. Problem mbetet ndikimi hibrid i Rusisë në energji, ushtri dhe media. Ndryshimi i vërtetë varet nga forcat demokratike brenda Serbisë”, shtoi më tej kryeministri Kurti.
“Rebeli i madh” paralajmëron kompromis për Presidentin
Gazeta zvicerane NZZ e ka pyetur Kurtin edhe për politikën e brendshme, si dhe për gjetjen e zgjidhjes për Presidentin.
Kryeministri ka paralajmëruar kompromis me opozitën për këtë çështje, teksa gazeta është befasuar me tonin e tij të zbutur, pasi thotë se “ju dikur ishit rebeli i madh” në Kosovë.
NZZ: Të kthehemi te politika e brendshme: Ju keni një mandat të fortë, por zgjedhja e Presidentit në parlament po afron. Kandidatit i duhen dy të tretat e votave. Si e menaxhoni këtë? A rrezikohet bllokimi?
Kurti: Së pari, e konstituojmë parlamentin, zgjedhim kryesinë dhe qeverinë, miratojmë buxhetin 2026 dhe disa marrëveshje ndërkombëtare – përfshirë planin e rritjes së Bashkimit Evropian (BE) prej 882 milionë eurosh, nga të cilat 30 për qind janë grante dhe 70 për qind kredi. Më pas vjen zgjedhja e presidentit. Për këtë na duhet kompromis me opozitën. Shumica prej dy të tretash kërkon dialog.
NZZ: Këto janë tone të reja, më të balancuara nga ana juaj. Ju dikur ishit rebeli i madh në Kosovë.
Kurti: Unë kurrë nuk kam qenë një “rebel pa kauzë”, gjithmonë kam pasur një qëllim. Sot jam kryeministër me një qëllim. /Klankosova.tv


