Kurti njofton Bashën: Nagavci do ta dërgojë te Presidentja emrin e mandatarit për formimin e Qeverisë

Kurti njofton Bashën: Nagavci do ta dërgojë te Presidentja emrin e mandatarit për formimin e Qeverisë

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, e ka njoftuar kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, se Lëvizja Vetëvendosje – si subjekt i parë i zgjedhjeve të mbajtura në shkurt – do ta dërgojë emrin e mandatarit për formimin e Qeverisë te presidentja e vendit, në përputhje me procedurat ligjore.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Basha përmes një postimi në Facebook, pas përfundimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të mbajtur të premten.


“Pas përmbylljes së suksesshme të seancës konstituive, pata kënaqësinë ta mirëpres në takim Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti. Kryeministri kishte sjellë një dhuratë të çmuar, pikturën ‘Pranvera Shqiptare’, punim i Rexhep Selimit, i cili ndonëse po mbahet padrejtësisht në Hagë, është gjithmonë në mesin tonë me veprat e tij”, ka shkruar Basha.

Ai ka bërë të ditur se me Kurtin kanë diskutuar për koordinimin ndërinstitucional, realizimin e agjendës legjislative dhe për rëndësinë e përmbushjes së detyrimeve kushtetuese.

“Së bashku nënvizuam nevojën për të proceduar drejt votimit të institucioneve të reja që derivojnë nga Kuvendi. Me këtë rast, Kryeministri më njoftoi se, si Kryetar i partisë më të madhe në vend, Kryetarja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, znj. Arbërie Nagavci, do ta dërgojë emrin e mandatarit për formimin e Qeverisë te Presidentja e Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.

Basha ka theksuar se Kuvendi do të vazhdojë të punojë me përgjegjësi të plotë në përmbushjen e detyrimeve kushtetuese e ligjore, duke e cilësuar besimin e qytetarëve si “udhërrëfyesin kryesor” të institucioneve./Telegrafi/