Kurti nis vizitën në SHBA, takohet me kongresistin Keith Self

Kurti nis vizitën në SHBA, takohet me kongresistin Keith Self

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka nisur vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një takim me kongresistin republikan Keith Self, i cili u mbajt në mjediset e Konsullatës së Kosovës në New York.


Kongresisti Self është shquar si mbështetës i zëshëm i Kosovës. Në takim u diskutua për marrëdhëniet bilaterale Kosovë–SHBA, me theks të veçantë në bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe për rolin e diasporës shqiptare në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve.

Kurti e informoi kongresistin për investimet në kapacitetet profesionale dhe operative të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfshirë pajisjet dhe armatimin e siguruar nga ShBA si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë në mbrojtje. Ai përmendi gjithashtu vendimin e qeverisë për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta nga ShBA-të, heqjen e tarifës doganore për produktet me origjinë amerikane, si dhe vazhdimin e programit MCC Compact për Kosovën nga administrata e re amerikane.

Në takim u theksua rëndësia e diasporës shqiptare në ShBA, e cila kontribuon jo vetëm në mbajtjen e lidhjeve të forta ndërmjet dy vendeve, por edhe në nxitjen e investimeve të huaja direkte në Kosovë.

Kryeministri Kurti e ftoi kongresistin Self për vizitë në Kosovë dhe e falënderoi për mbështetjen e tij publike në procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe strukturat e tjera euroatlantike. Ai shprehu gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të avancuar më tej bashkëpunimin me Kongresin dhe qeverinë amerikane në promovimin e interesave të përbashkëta.

Kryeministri Kurti ndodhet në New York për të marrë pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara./Telegrafi/