Monday, March 30, 2026
spot_img
HomeLajmeKurti kundër heqjes së akcizës dhe TVSh-së për naftën: Edhe SHBA po...

Kurti kundër heqjes së akcizës dhe TVSh-së për naftën: Edhe SHBA po e vuan koston e luftës në Iran

Çmimet e larta të naftës në Kosovë vazhdojnë të jenë një shqetësim i madh për qytetarët dhe bizneset, duke rritur kostot e jetesës dhe duke ndikuar drejtpërdrejt në inflacion. Kjo situatë ka nxitur reagime dhe kërkesa për ndërhyrje urgjente nga qeveria.

Ndërsa partitë opozitare kanë propozuar heqjen e TVSh-së dhe akcizës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference për media, tha se këto masa nuk janë të bazuara në përvoja të suksesshme ekonomike.

Ai theksoi se Kosova nuk ka rafineri të naftës dhe nuk e përpunon vetë produktin, prandaj vendi merr komplet koston e inflacionit nga importi.

“E gjithë nafta që është në Kosovë, importohet. Ne vetëm që nuk kemi burime, por nuk kemi as rafineri të naftës, pra ne as nuk përpunojmë naftë përveç se nuk kemi naftë, në këtë mënyrë e marrim komplet koston e inflacionit në import, çmimet e larta që janë jashtë bëhen çmime ndoshta edhe më të larta këtu brenda. Ministria e Tregtisë, i ka vazhduar ato masa e ish-ministres Rozeta Hajdari dhe ajo është në komunikim të vazhdueshëm edhe me ekspertët, bindja ime e fuqishme është se këto propozimet për heqje të TVSh dhe Akcizës nuk janë mirë të menduara dhe nuk bazohen në përvoja të suksesshme apo në dije ekonomike. Është shumë e rëndësishme që të kemi kujdes  të mos i shërbejmë super-profitet ndokujt në vend se t’ua zbusim barrën qytetarëve, pra gjitha vendet e Evropës dhe vetë ShBA, është duke vuajtur koston e luftës që po zhvillohet në Iran”, tha shefi i qeverisë, njofton Klankosova.tv.

Për situatën e krijuar, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri, javën e kaluar dorëzoi kërkesë në Ministrinë e Tregtisë për marrjen e masave urgjente për përballimin e situatës ekonomike në vend pas rritjes së shpejt të çmimit të karburanteve.

Në këtë kërkesë u sugjeruan katër masa urgjente që sipas tyre duhet t’i marrë Qeveria e Kosovës për të evituar pasojat ekonomike si rrjedhojë e shtrenjtimit të derivateve.

E për këtë u deklarua edhe Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se heqja e TVSh-së dhe ajo e akcizës nuk mund të ndodhin. Kusari-Lila theksoi se po mundohen që çmimet mos të rriten edhe më shumë, derisa e para e MINTI-t shtoi se ulje mund të ketë nëse kjo ndodh edhe në tregjet ndërkombëtare, transmeton Klankosova.tv.

Kusari – Lila thotë se lirimi i TVSh-së për derivate dhe heqja e akcizës nuk mund të ndodhin

Ndërkohë në Shqipëri, çmimi i naftës është ulur.

Bordi i Transparencës atje vendosi të enjten, uljen e çmimeve të karburanteve në Shqipëri, në reflektim të lëvizjeve në bursën ndërkombëtare Platts të Mesdheut.

Sipas njoftimit zyrtar, në tregjet ndërkombëtare është shënuar një rënie e çmimit të benzinës me 3.35 dollarë për ton dhe e gazoilit me 7.1 dollarë për ton krahasuar me datën 25 mars.

Si rrjedhojë, Bordi ka përcaktuar çmimet e reja tavan për tregun vendas: Çmimi me pakicë i gazoilit (standardi SSH EN 590) nuk duhet të kalojë 203 lekë për litër, ndërsa me shumicë 191 lekë për litër. Çmimi me pakicë i benzinës nuk duhet të kalojë 175 lekë për litër, ndërsa me shumicë 163 lekë për litër.

Ulet çmimi i naftës në Shqipëri

Vendimi hyri në fuqi më 26 mars, dhe do të mbetet në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit. Autoritetet theksuan se Bordi i Transparencës nuk përcakton çmimin e naftës bruto, por vetëm çmimet e nënprodukteve si gazoili, benzina dhe gazi i lëngshëm, bazuar në lëvizjet e bursës së Mesdheut dhe kursin e këmbimit të dollarit./Klankosova.tv

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT