Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur mirënjohje dhe respekt të thellë për dy nga mbështetësit më të mëdhenj të çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Joe dhe Shirley DioGuardi, me rastin e ditëlindjeve të tyre të 85-të dhe 75-të.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Kurti ka vlerësuar kontributin historik të ish-kongresistit Joe DioGuardi në ngritjen e zërit të shqiptarëve në politikën amerikane në një periudhë vendimtare për Kosovën.
“Çdo shqiptaro-amerikan, pavarësisht pikëpamjeve apo përkatësive politike, e pranon se Joe DioGuardi luajti një rol qendror për zërin e shqiptarëve në politikën amerikane në një kohë vendimtare për Kosovën. Ai ishte personi që u hapi dyert e politikës amerikane shqiptarëve, kur jo shumë njerëz ishin të interesuar të dëgjonin për vuajtjet tona në ish-Jugosllavi”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri ka theksuar edhe rolin e bashkëshortes së tij, Shirley DioGuardi, duke i cilësuar si një dyshe të fuqishme lobuese, që ndikoi në vendime të rëndësishme të administratave amerikane, nga Presidenti Clinton te Presidenti Bush.
Çifti DioGuardi u shpreh se ka mbështetur fuqishëm UÇK-në si një forcë çlirimtare dhe ka kontribuar në përpjekjet diplomatike për të ndaluar përsëritjen e tragjedive si ajo e Bosnjës.
“Veprat e tyre janë shembulli i shkëlqyer se çfarë dy amerikanë, të udhëhequr nga ndërgjegjja dhe miqësia, mund të bëjnë për një popull që lufton për lirinë e tij,” shkroi Kurti.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!