Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se në takimin e thirrur nga ai për ta diskutuar ngërçin institucional, ai e ka bërë konsultimin konstruktiv, bashkëpunimin në mirëbesim por sipas tij, u pa që konsensus nuk ka.
Kurti tha se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë kompromis, duke thënë se në takimin e sotëm i ka ofruar dy kompromise, duke thënë se ai i pari ishte ajo që e ka thënë kandidatja e VV-së për kryetare të kuvendit, Albulena Haxhiu se do të tërhiqet nga gara nëse në votimin e fshehtë s’do t’i merrte 61 vota.
“Unë kam ofruar dy opsione kompromisi në emër të VV-së. Kompromisi i parë ishte ai që e ka thënë edhe kandidatja jonë e propozuar për kryetare të kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila tha se në rast të votimit të fshehtë s’i merr së paku 61 vota, tërhiqet nga kandidatura. Këtë e ka bërë njëanshëm, por unë e respektoj si qëndrim personal të saj”.
“Ajo nuk dëshiron që të votohet dy herë për të me votim të fshehtë. Me votim të fshehtë për Albulena Haxhiun do të votohet vetëm një herë. Andaj, ne kemi lëvizur dhe kjo nuk duket se u kishte bërë përshtypje partive opozitare”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.
Tutje, Kurti u shpreh se kompromisi i dytë, sipas tij, ishte që të bëhet një marrëveshje politike që të votohen në pako kryetari dhe pesë nënkryetarët.
“Kompromisi i dytë ishte që lë ta bëjmë një marrëveshje politike lidhur me nenin 67 të Kushtetutës, e që është marrëveshja në paketë për kryetarin dhe nënkryetarët dhe pastaj nëse nuk e duan kurrqysh votimin e fshehtë, le t’i delegojnë përfaqësuesit e tyre në këtë komisionin për votim të fshehtë që mund ta rrëzojmë me votë sepse procesi ka ngelur në gjysmë”.
“Tash, ne e dimë që partitë opozitare kanë treguar preferenca për emrat e Vetëvendosjes, mirëpo kjo nuk është mënyra se si ndërtohen shëndetshëm institucionet. Cili është kuptimi të dalësh fitues në zgjedhje, e në fund duhet kundërshtarët e tu humbës ta përzgjedhin se kush duhet të udhëheqë me institucionin më të lartë”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.
Kryetari i VV-së tha se takimi ia ka vlejtur, por sipas tij, dy partitë opozitare, PDK dhe LDK po e keqlexojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Takimi ia ka vlejtur, pasi janë sqaruar shumë gjëra, e një nga to që është e çuditshme dhe brengosëse është që për bindjen time, partitë opozitare, PDK dhe LDK e kanë keqlexuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe po e keqinterpretojnë atë publikisht. Nuk është as qëllimi as kuptimi i atij aktgjykimi cfarë po thuhet nga PDK dhe LDK”, tha ai.
The post Kurti: I ofrova dy kompromise, u refuzuan appeared first on Klan Kosova.