Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë sot në Akademinë Përkujtimore përkujtimore në nderim të Heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku, në dyvjetorin e rënies së tij në Banjskë të Zveçanit.
Akademia u organizua nën patronatin e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti e cilësoi 24 shtatorin e vitit 2023 si një nga datat kyçe në historinë e shtetndërtimit të Kosovës, duke kujtuar guximin dhe sakrificën e Rreshterit Afrim Bunjaku. Ai theksoi se Bunjaku ra duke mbrojtur sovranitetin dhe territorin e Kosovës gjatë një sulmi të armatosur nga një grup terroristësh serbë.
“Më 24 shtator 2023, policia e Kosovës dështoi çdo tentativë për shkëputjen e një pjese të territorit tonë, falë profesionalizmit dhe vendosmërisë së saj. Heroi Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës, duke u bërë simbol i guximit dhe përkushtimit ndaj Kushtetutës së Republikës së Kosovës,” deklaroi Kurti.
Kryeministri gjithashtu theksoi se grupi që sulmoi Banjskën ishte paraushtarak, i organizuar dhe i financuar nga shteti i Serbisë, me Millan Radoiçiqin në krye, i cili vazhdon të jetë i lirë dhe aktiv në Beograd. Kurti bëri thirrje EULEX-it që të bashkëpunojë për dorëzimin e tij autoriteteve të Kosovës.
Në përmbyllje, Kurti përgëzoi policët që morën pjesë në operacionin e 24 shtatorit 2023, duke theksuar se historia e shtetit të Kosovës do t’i nderojë për profesionalizmin dhe guximin e treguar.
“Lavdi heroit Afrim Bunjaku, dëshmorit të lirisë së pacënueshme të Republikës së Kosovës!”