Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se nuk është hera e parë që i kërkohet heqja e TVSH-së apo akcizës pas rritjes së çmimit të naftës, por ka vlerësuar se këto kërkesa nuk reflektojnë mendimin e shumicës së qytetarëve.
Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, Kurti u shpreh se ndonëse nuk ka zbatuar asnjërën nga këto masa, ka arritur të fitojë më shumë në zgjedhje.
“Në këtë seancë, nuk jeni as 1/3 e deputetëve sa i ka Kuvendi, nuk jeni as 40 prej 120, edhe unë jam me një ministre, por besoj që edhe ashtu e keni vërejtur, ndonëse janë më pak, prap janë më shumë se ju”, tha ai.
Kryeministri theksoi se këshillat e dhëna nuk janë të detyrueshme për t’u zbatuar.
“Më tej, ju thatë që po më jepni këshilla, tash këtu janë dy probleme, problem i parë është se kur thatë që po më jepni këshilla, ju tashmë jeni të gatshëm që këshilla mund të mos merret në konsideratë për t’u zbatuar, sepse është veçse këshillë. Unë nuk ju kam juve këshilltare, unë këshilltarët i kam të tjerë”, shtoi Kurti.
Ai rikujtoi se gjatë tre mandateve të tij si kryeministër, këto kërkesa janë bërë vazhdimisht, por ai nuk ka marrë masa për uljen e TVSH-së ose heqjen e akcizës.
“Nuk është hera e parë që e kërkoni këtë gjë prej qeverisë sonë, jam kryeministër për herë të tretë, gjithmonë keni kërkuar herë hiqe akcizën, herë TVSH-në, nuk e kom bo asnjërën, kom fitu veç ma shumë, a po kuptoni. Pra edhe populli nuk është për atë që po më këshilloni, dhe unë përfaqësoj një politikë tjetër”, theksoi ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


