Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, janë përplasur publikisht lidhur me çështjen e buxhetit të bllokuar të kryeqytetit dhe mungesën e bashkëpunimit ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror.
Rama ka kritikuar qeverinë për mosbashkëpunim dhe ka kërkuar zhbllokimin e buxhetit, duke theksuar se projekte madhore si unaza e qytetit, që kapin dhjetëra milionë euro, po mbesin pezull. Ndër tjera ai edhe ka përmendur se gjatë katër viteve nuk ka pasur asnjë takim me kryeministrin për çështje të kryeqytetit, transmeton klankosova.tv.
Në një kundërpërgjigje të drejtpërdrejtë, Kurti ka refuzuar mënyrën se si Rama ka trajtuar rëndësinë e projekteve të arsimit, dhe ka përmendur investime të shumta në këtë fushë. Megjithatë, pjesa më e komentuar e deklaratës së tij qe aludimi për një ndryshim në udhëheqjen komunale pas zgjedhjeve lokale:
”E, kryetari Rama pas vjeshtës duhet të gjejë një punë tjetër”.
Ky koment i Kurtit shihet si një aludim i qartë për bindjen e tij se kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Prishtinën, Hajrulla Çeku, do të fitojë zgjedhjet lokale, duke zëvendësuar Ramën në krye të kryeqytetit.
Përplasja ndodh në një periudhë ku partitë politike po pozicionohen për zgjedhjet lokale të vjeshtës, ndërsa debati për menaxhimin e projekteve në Prishtinë po bëhet gjithnjë e më i ashpër.
The post Kurti e Rama përplasen për Prishtinën në përurimin e një çerdheje appeared first on Klan Kosova.