Kryeministri Albin Kurti, ka njoftuar se e ka emëruar zëvendëskryeministren e dytë, njëkohësisht Ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, Koordinatore Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore.
Në njoftimin e publikuar në Facebook, Kurti tha se ky emërim forcon përkushtimin institucional për parandalimin dhe adresimin e dhunës, si një çështje të sigurisë njerëzore dhe të drejtave themelore.
“Përpjekjet tona për ta çrrënjosur dhunën ndaj grave dhe vajzave janë të vazhdueshme. Po e trajtojmë dhunën ndaj grave si përgjegjësi të përbashkët institucionale e shoqërore”, u shpreh Kurti.
Kryeministri përmendi edhe disa nga hapat e ndërmarrë në vitet e fundit në mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, e që tha se janë edhe mbështetja financiare për strehimoret dhe organizatat e licencuara që ofrojnë shërbime sociale dhe familjare.
Ai shtoi se për periudhën 2021–2025 janë ndarë 7.3 milionë euro për të forcuar kapacitetet e tyre dhe për shërbime më të mira dhe përkrahje më të qëndrueshme për viktimat.
Ndër të tjera, Kurti përmendi edhe miratimin e Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, si dhe avancimin e kornizës ligjore, duke shtuar se “dhuna ndaj grave tashmë është e përcaktuar si vepër penale në Kodin Penal”.
Sipas tij, për personat që shpallen fajtorë për dhunë në familje dhe për dhunim seksual “kemi vendosur dënime plotësuese, bashkë me prioritet për hetimin dhe gjykimin e këtyre rasteve”.
“Puna për adresimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave dhe vajzave nuk ndalet. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar të forcojë parandalimin, mbrojtjen dhe drejtësinë për të gjitha gratë dhe vajzat”, tha kryeministri Kurti në fund. /Klankosova.tv


