E premte, 13 Qershor, 2025
spot_img
HomeLajmeKurti: Bujar Bukoshi ishte mbështetës i rezistencës paqësore dhe i guximshëm në...

Kurti: Bujar Bukoshi ishte mbështetës i rezistencës paqësore dhe i guximshëm në çdo situatë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë mbledhjes komemorative për ish-kryeministrin e Kosovës, Bujar Bukoshi, i cili ndëroi jetë të martën, e vlerësoi atë si një figurë të guximshme dhe të palodhur në çdo situatë.

Kurti theksoi se Bukoshi ishte “kryeministri i parë dhe i fundit i Republikës së parë të Kosovës” dhe e përshkroi si një lider që e kishte angazhuar maksimalisht veten për të ndihmuar njohjen ndërkombëtare të Kosovës.

Ai theksoi se, duke qëndruar në Gjermani, Bukoshi zhvilloi takime me përfaqësues të ndryshëm politikë për të promovuar çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Komunikimi i tij me diplomatët dhe gazetarët gjermanë ishte një shembull i një angazhimi të palodhur,” shtoi ai.

Kurti gjithashtu theksoi se Bujar Bukoshi ishte një mbështetës i rezistencës paqësore, por edhe kritik i saj në raste të caktuara.

Po ashtu, ai mbështeste kryengritjen e armatosur, por nganjëherë shprehte edhe kritikën e tij ndaj saj. “Ai ishte i guximshëm në çdo situatë. Kurajoz në politikbërje, realist në qëndrime dhe adhurues i veprimeve,” theksoi Kurti.

Përveç kësaj, ai kujtoi se Bukoshi kishte qenë një ndër protagonistët kryesorë të zhvillimeve politike dhe historike të viteve të ’90-ta, dhe shtoi se historianët do të vazhdojnë të studiojnë angazhimin e tij.

“Teksa kalon koha, ne fitojmë pikëpamje të reja mbi ngjarjet dhe zhvillimet e atyre viteve. Historianët do ta studjojnë dhe analizojnë angazhimin e Bujar Bukoshit kur të shkruajnë historinë moderne politike të Kosovës,” tha ai.

Në fund, Kurti uroi që në të ardhmen të dalë një biografi për jetën dhe veprën e Bukoshit.

“Uroj që një ditë, jo të largët, dikush nga historianët të na sjellë një biografi për jetën dhe aktivizmin e doktorit politikan dhe kirurgut kryeministër, Bujar Bukoshit,” theksoi ai.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT