Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), Sami Kurteshi, ka vlerësuar se Lista Serbe ka organizuar një tubim masiv në veri të Mitrovicës, duke tejkaluar përqindjen e popullsisë në këtë rajon.
Kurteshi tha se serbët e veriut janë drejtuar në mënyrë të organizuar drejt vendvotimeve, por sipas tij, janë bllokuar qëllimisht korridoret dhe qendrat e votimit për të shkaktuar probleme dhe incidente.
“Kam marrë raportin e sekretariatit dhe kemi bërë përpjekje për të përcjellë ngjarjet. Kam ngritur shqetësimet për atë që ka ndodhur në veri të Mitrovicës, ku Lista Serbe ka organizuar tubim kundër rregullave të procesit zgjedhor”, tha Kurteshi, raporton Telegrafi.
Ai shtoi se disa media serbe kanë raportuar në mënyrë të qëllimshme rreth qendrave të votimit për të shkaktuar incidente dhe bllokime, duke krijuar tollovi para qendrave të votimit.
“Ne i kemi pamjet e tyre, të mbledhura para një qendre votimi, duke shkaktuar tollovi. Ndërkohë, mediat më të mëdha në Serbi po nxisin urrejtje ndaj zgjedhjeve në Kosovë, dhe kjo ishte arsyeja pse disa media nuk i kemi akredituar për këtë proces”, shtoi Kurteshi, duke kritikuar përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe shkeljen e kodit të mirësjelljes në raportimet mediatike. /Telegrafi/