Kurs falas i gjuhës angleze në xhaminë “Prof. Dr. Bedri Kamberi”

Kurs falas i gjuhës angleze në xhaminë “Prof. Dr. Bedri Kamberi”

Xhamia “Prof. Dr. Bedri Kamberi” në Prishtinë, në bashkëpunim me Ushtrinë Amerikane nga Kampi Bondsteel, ka hapur thirrjen për regjistrim në një kurs falas të gjuhës angleze për nxënës të shkollave fillore dhe të mesme.


Kursi fillon më 11 tetor 2025, duke u mbajtur çdo të shtunë prej ora 10:00 deri në 11:30, në ambientet e xhamisë në Lagjen e Spitalit. Organizatorët theksojnë se ky program është i hapur për të dy gjinitë, ndërsa numri i vendeve është i kufizuar.

Ligjëratat do të zhvillohen nga ushtarë amerikanë, duke përdorur metoda bashkëkohore të mësimdhënies.

“Shprehim mirënjohjen tonë të thellë ndaj miqve tanë nga Ushtria Amerikane, Kampi Bondsteel, për gatishmërinë dhe mbështetjen në realizimin e këtij projekti edukativ për të rinjtë e Kosovës,” thuhet në njoftimin e imamit Labinot Maliqi.