Vajzat dhe djemtë nuk rriten me të njëjtën shpejtësi, as në të njëjtën periudhë të jetës. Ekzistojnë dallime që bëhen më të dukshme në fillim të viteve të adoleshencës
Shumëkush e kujton periudhën e shkollës fillore dhe ndryshimet në rritjen e vajzave dhe djemve. Diku në fillim të viteve të para të adoleshencës, vajzat zakonisht janë ato që rriten më shpejt, duke qenë më të gjata se bashkëmoshatarët meshkuj, të cilët shpesh mendonin se nuk do të arrinin kurrë t’i kapnin. Por pas një apo dy vitesh ndodhte një përmbysje: djemtë fillonin të rriteshin me ritëm të shpejtë dhe i tejkalonin shumicën e vajzave që deri atëherë i kishin parë nga lart.
Po, vajzat dhe djemtë nuk zhvillohen njësoj, prandaj as nuk rriten në të njëjtën kohë ose në të njëjtën periudhë të jetës së tyre. Edhe pse gjenetika luan rol të madh dhe çdo fëmijë ka veçoritë e veta, gjinia është një faktor kyç. Vajzat hyjnë në pubertet më herët se djemtë, prandaj edhe rriten më shpejt dhe shpesh arrijnë gjatësinë e tyre përfundimtare përpara meshkujve.
Tek vajzat, puberteti nis zakonisht rreth moshës 11 vjeç, dhe te shumë prej tyre rritja përfundon deri në moshën 14 vjeç. Fillimi i menstruacioneve shpesh shënon fundin e rritjes. Shumë vajza shtohen edhe pak pas kësaj periudhe, rreth një deri në pesë centimetra, por nuk ka rregulla të sakta kur bëhet fjalë për rritjen. Te disa fëmijë rritja nis më herët gjatë pubertetit, ndërsa tek të tjerë më vonë.
Edhe pse rritja nuk është e thjeshtë për t’u shpjeguar apo parashikuar, ekzistojnë disa tregues që mund të shërbejnë si udhëzues. Përveç kësaj, ka edhe disa formula orientuese për të “parashikuar” gjatësinë e një fëmije, megjithëse jo gjithmonë janë të sakta, transmeton Telegrafi.
Dr. Marisa Censani, endokrinologe pediatrike në Weill Cornell Medicine, shpjegon për Today.com se specialistët përdorin vlerësimin e moshës kockore për të përcaktuar pjekurinë skeletore.
“Vlerësimi i moshës kockore është një radiografi e dorës dhe kyçit të majtë që shërben për të parë pllakat e rritjes dhe për të vlerësuar potencialin e mbetur të rritjes”, thotë Censani. “Kjo metodë mund të përdoret për të parashikuar rritjen e ardhshme dhe për të dhënë një pasqyrë mbi zhvillimin pubertal të fëmijës.”
Ekziston gjithashtu edhe një metodë më e thjeshtë, që përdoret shpesh nga prindërit. Mund të merret gjatësia e fëmijës në moshën dyvjeçare dhe të dyfishohet, kjo shpesh jep një ide për gjatësinë në moshën e rritur. Për vajzat, një tjetër metodë është kjo: nga gjatësia e babait zbriten 13 centimetra, më pas shtohet gjatësia e nënës dhe llogaritet mesatarja. Sidoqoftë, nëse ekziston diferencë e madhe në gjatësinë e prindërve, rritet edhe mundësia për pasaktësi.
Kur duhet të shqetësohemi?
Dr. Vaneeta Bamba, endokrinologe pediatrike, thekson se ekzistojnë dy mënyra për të parë gjatësinë, si një masë statike në një moment të caktuar ose si një “shpejtësi rritjeje”.
“Mund të jeni në një përqindje më të ulët të kurbës së rritjes, por të keni ritëm normal sepse rriteni me një shpejtësi të mirë. Ose mund të jeni në një lartësi mesatare, por të mos rriteni me shpejtësinë që pritet”, shpjegon Bamba.
Përveç gjeneve, faktorë të tjerë që mund të ndikojnë te gjatësia janë ushqyerja, historia neonatale dhe sëmundjet e mëparshme. Megjithatë, këto ndikojnë në një moment të caktuar të rritjes, jo domosdoshmërisht në ecurinë e saj të përgjithshme. Idealisht, një fëmijë duhet të rritet me një ritëm të qëndrueshëm; çdo devijim i madh nga kjo ecuri është arsye për t’u këshilluar me mjekun pediatër.
Një rregull i përgjithshëm është ky: fëmijët që ende nuk kanë hyrë në pubertet rriten rreth 5 cm në vit; kur hynë në pubertet, rritja arrin 5 deri në 7,5 cm në vit; ndërsa në kulmin e saj shpejtësia e rritjes arrin nga 7,5 deri në 10 cm në vit.
Treguesi më i mirë që gjithçka është në rregull është rritja e qëndrueshme. Nëse kjo mungon, duhet kërkuar mendimi i pediatrit. Ndër gjendjet që mund të ngadalësojnë rritjen janë: anemia, celiakia, hipotiroidizmi ose mungesa e hormonit të rritjes. /Telegrafi/