Si leukocitet e ulura ashtu edhe ato të ngritura kërkojnë konsultën e mjekut, i cili jep një vlerësim nëse duhen përsëriten dhe kur duhen përsëritur analizat apo kur duhen përfshirë metoda shtesë diagnostikuese
Leukocitet janë qeliza të bardha të gjakut me një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e organizmit nga infeksionet. Ato prodhohen në palcën e eshtrave dhe marrin pjesë në përgjigjen imune të trupit ndaj sulmit të mikroorganizmave patogjenë.
Leukocitet transportohen nëpërmjet qarkullimit në të gjitha indet tona, ku aktivizohen si një “ushtri” që synon të mbrojë organizmin. Ka disa lloje leukocitesh, kryesoret janë granulocitet, limfocitet dhe monocitet. Çdo lloj ka funksionin e tij specifik dhe të gjithë kanë fuqinë për të zbuluar dhe shkatërruar mikroorganizmat, viruset, bakteret ose substanca të tjera toksike të rrezikshme. Gjithashtu, ato mund të prodhojnë antitrupa që kanë rolin e neutralizimit të efektit të agjentëve patogjenë.
Vlerat normale të leukociteve në gjak janë nga 3,9 në 10×109/l.
Kur analizat tregojnë se leukocitet janë zmadhuar, kjo zakonisht tregon një infeksion. Megjithatë, ky ndryshim mund të jetë edhe tregues i sëmundjeve më të rënda, siç janë sëmundjet malinje të gjakut.
Rënia e leukociteve mund të jetë pasojë e infeksioneve virale apo të tjera, stresit, përdorimit të disa barnave, si dhe efekt anësor i kimioterapisë, transmeton Telegrafi.
Leukocitet e larta në gjak
Nivelet e rritura të leukociteve shpesh tregojnë për një proces inflamator në organizëm ose për infeksion, por mund të lidhen edhe me sëmundje të tjera. Kur ndodh inflamacion, trupi prodhon më shumë leukocite si pjesë e mbrojtjes imunitare.
Leukocitet e larta mund të tregojnë për:
- probleme akute me rrugët e frymëmarrjes,
- infeksione të zorrëve ose infeksione të tjera,
- disa sëmundje autoimune,
- sëmundje malinje (p.sh. kancer, përfshirë leukeminë).
Nëse keni leukocite të rritura, është e domosdoshme të konsultoheni me mjekun, për të përcaktuar nëse duhet përsëritur analizat ose kryer metoda të tjera diagnostike.
Tek fëmijët
Tek fëmijët, leukocitet shpesh rriten ndjeshëm gjatë infeksioneve bakteriale ose virale. Një situatë e ngjashme ndodh edhe tek fëmijët me prirje për alergji apo me sëmundje autoimune.
Gjatë shtatzënisë
Gjatë shtatzënisë, leukocitet e rritura mund të kenë shkaqe të ndryshme: infeksione, stres, ndryshime hormonale. Në fazat e vona të shtatzënisë, nivelet e larta mund të jenë një dukuri normale. Megjithatë, ato nuk duhen neglizhuar, sepse mund të sinjalizojnë jo vetëm infeksione, por edhe probleme më serioze shëndetësore, që mund të shkaktojnë komplikime si preeklampsia ose infeksione të mitrës.
Leukocitet e ulëta në gjak
Edhe niveli i ulët i leukociteve (i njohur si leukopeni) mund të tregojë për probleme shëndetësore serioze. Përveç infeksioneve apo reagimit ndaj stresit, leukopenia mund të lidhet me:
▪ sëmundje autoimune,
▪ leukemi,
▪ anemi,
▪ HIV/AIDS,
▪ kequshqyerje (malnutricion).
Shkaqet e uljes së leukociteve
Rënia e leukociteve mund të ndodhë për arsye të ndryshme:
▪ prodhim i ulur i tyre në palcën e kockës,
▪ shkatërrim i shtuar i leukociteve në gjak,
▪ ndryshime në prodhimin e leukociteve në shpretkë.
Edhe tek fëmijët, shkaqet e leukopenisë janë të ngjashme me ato të të rriturve. Prandaj, është e domosdoshme të identifikohet shkaku i saktë dhe të nisë terapia e duhur në kohë, duke ndjekur gjithashtu simptomat dhe sjelljen e fëmijës. /Telegrafi/