Kur inflamacioni i bajameve nuk kalon: Gjithçka që prindërit duhet të dinë për tonsilitin kronik

Kur inflamacioni i bajameve nuk kalon: Gjithçka që prindërit duhet të dinë për tonsilitin kronik

Një përmbledhje e simptomave, shkaqeve dhe opsioneve terapeutike për trajtimin e inflamacionit kronik të bajameve tek fëmijët

Bajamet përbëjnë “linjën e parë të mbrojtjes nga sëmundjet”. Ato janë shumë të rëndësishme sepse parandalojnë hyrjen e viruseve dhe baktereve në pjesët e poshtme të rrugëve të frymëmarrjes. Por shpesh ndodh që vetë bajamet të infektohen – gjendje që quhet tonsilit.


Tonsiliti kronik është një inflamacion i vazhdueshëm i bajameve të qiellzës që zgjat më shumë se tre muaj, dhe zakonisht shfaqet si pasojë e infeksioneve të përsëritura akute ose nënakute. Komplikimet e formave akute dhe përkeqësimet e formës kronike mund të jenë serioze, madje edhe kërcënuese për jetën, transmeton Telegrafi.

Këto komplikime ndahen në lokale – që lindin si pasojë e përhapjes së infeksionit në indet dhe hapësirat përreth qafës:

  • absces peritonsilar,
  • absces parafaringeal,
  • absces retrofaringeal,
  • trombozë e venës jugulare të brendshme,
  • sharlah,
  • ethe reumatizmale akute,
  • glomerulonefrit post-streptokokik,
  • ndërprerje të frymëmarrjes gjatë gjumit (apne).

Në moshën pediatrike, kjo sëmundje është më e shpeshtë tek fëmijët nga 4 deri në 15 vjeç, ndërsa frekuenca zvogëlohet me kalimin e viteve.

Simptomat e tonsilitit kronik

Dhimbja dhe ngushtimi në fyt, era e keqe e gojës dhe formimi i masave të bardha të buta (detritus) në kriptat e bajameve janë shenjat më tipike të tonsilitit kronik.
Përveç tyre, shfaqen shpesh edhe:

  • kollë e zgjatur dhe e thatë,
  • gërhitje apo ndërprerje e frymëmarrjes gjatë gjumit,
  • vështirësi në frymëmarrje me zë të dëgjueshëm,
  • dhimbje në vesh ose në qafë,
  • zmadhim i nyjeve limfatike cervikale,
  • mungesë përparimi në peshë apo rritje,
  • ndryshim në zë.

Simptomat e përgjithshme përfshijnë temperaturë të lehtë (subfebrile), lodhje, dhimbje muskujsh dhe dhimbje koke.

Si vendoset diagnoza

Diagnoza e tonsilitit kronik nuk mund të vendoset vetëm mbi bazën e një simptome apo pas një vizite të vetme. Ajo përcaktohet pas mbledhjes së të dhënave anamnestike, ekzaminimit klinik, si dhe rezultateve të analizave laboratorike dhe ekzaminimeve mikrobiologjike.

Në shumicën e rasteve, trajtimi është kirurgjikaltonsilektomia, pra heqja e bajameve.

Si të parandalohet infeksioni

Duke qenë se periudha e ftohjeve, viruseve dhe gripit është aktive, mjekët këshillojnë që prindërit të ndihmojnë fëmijët të forcojnë imunitetin:

“Mbani imunitetin në nivel optimal, kjo do të thotë aktivitet fizik i rregullt, ushqim i larmishëm dhe i pasur, ndërrimi i shpeshtë i furçës së dhëmbëve, higjienë orale e mirë, dhëmbë të shëndetshëm, përdorim i probiotikëve, moskonsumim i duhanit dhe përballje me stresin e përditshëm pa ankth të tepruar.

Shkaqet e tonsilitit kronik

Ekzistojnë disa forma, por më të shpeshtat janë:

  • Tonsiliti kronik hipertrofik, kur bajamet janë më të mëdha se normalisht për moshën.
  • Tonsiliti kronik atrofik, kur bajamet janë më të vogla se zakonisht.

Ky inflamacion kronik shkaktohet nga infeksione të përsëritura të fytit me flora të përziera bakteriale (aerobe dhe anaerobe). Nëse trajtimi antibiotik është i papërshtatshëm ose shumë i shkurtër, sëmundja kalon në formë kronike.

Faktorë shtesë që e nxisin janë:

  • predispozita gjenetike,
  • higjiena e dobët orale,
  • zakone të pashëndetshme,
  • sëmundja e refluksit gastroezofageal (GERB).

Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se tonsiliti kronik nuk është sëmundje ngjitëse.

Në përmbledhje, tonsiliti kronik është një sëmundje e shpeshtë tek fëmijët që shpesh kërkon kujdes të vazhdueshëm mjekësor dhe në disa raste ndërhyrje kirurgjikale. Kujdesi ndaj higjienës, ushqimi i shëndetshëm dhe forca imunitare janë mënyra më të mira për ta parandaluar përsëritjen e tij. /Telegrafi/