Kupchan: Vetëshkatërruese nëse Kosova dëmton marrëdhëniet me SHBA-në

Kupchan: Vetëshkatërruese nëse Kosova dëmton marrëdhëniet me SHBA-në

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë, njoftoi të premten Ambasada amerikane në Prishtinë.

Në një njoftim në Facebook, Ambasada tha se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.


Lidhur me këtë, Charles Kupchan, anëtar i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se do të ishte “e papërgjegjshme dhe vetëshkatërruese” nëse qeveria në Prishtinë vazhdon të dëmtojë marrëdhëniet me një aleat kaq të fortë si SHBA-ja.

“Mendoj se do të ishte e papërgjegjshme dhe vetëshkatërruese nëse Qeveria në Kosovë vazhdon të ndërmarrë hapa që dëmtojnë marrëdhënien me një vend që ka qenë një mbështetës aq i fortë”, tha Kupchan.

Ai theksoi se Kosova mund të ruajë marrëdhënie të mira me SHBA-në dhe Evropën vetëm përmes një qasjeje konstruktive në dialog.

“Kosova mund të mbajë marrëdhënie të mira me Evropën dhe SHBA-në vetëm nëse shihet se po negocion me mirëbesim dhe në mënyrë konstruktive, për të çuar rajonin përpara”, u shpreh Kupchan.

Ambasada amerikane ka deklaruar se dialogu strategjik ishte menduar për t’i forcuar lidhjet ekonomike dhe diplomatike në të mirë të popullit amerikan dhe atij kosovar.

“Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, tha ajo, pa shpjeguar se për çfarë deklaratash dhe veprimesh bëhet fjalë saktësisht.

Ajo tha se SHBA-ja shpreson që këto përpjekje të vazhdojnë në të ardhmen, “kur kushtet të jenë të përshtatshme”.

“Ne mbetemi të përkushtuar për të avancuar interesat e përbashkëta që ndajnë Shtetet e Bashkuara dhe populli i Kosovës. Marrëdhënia jonë me Kosovën bazohet mbi një synim të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit si themel për mirëqenie të përbashkët ekonomike”.

Në një reagim në Facebook, zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, tha se “ne jemi mirënjohjes” për kontributin dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, dhe se “ne i mirëpresim edhe kritikat, [dhe] kurdo që janë konkrete përpiqemi maksimalisht të përmirësojmë dhe korrigjojmë hapat e veprimet tona”.