Kupchan: Frustrimi i grumbulluar i SHBA-së me Kurtin çoi në pezullimin e Dialogut

news image

Eksperti amerikan Charles Kupchan nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington ka thënë se pezullimi i dialogut strategjik është zhvillim serioz dhe pasqyrë e pakënaqësisë së SHBA-së ndaj Qeverisë së Kosovës.

“Rajoni ka nevojë për më shumë angazhim nga SHBA-ja, jo për më pak”, ka thënë Kupchan në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, duke theksuar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për një kohë të gjatë nuk ka avancuar.

Ai kujtoi se me ndryshimin e administratës në Uashington kishte pritshmëri që presidenti Donald Trump do të riangazhohej në këtë proces, por njoftimi i fundit nga Ambasada amerikane në Prishtinë për pezullimin e dialogut strategjik tregon të kundërtën.

Sipas tij, ky vendim është një kombinim i frustrimeve të akumuluara dhe pakënaqësisë ndaj qeverisë Kurti.

Kupchan përmendi zvarritjen e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, kritikat ndaj Gjykatës Kushtetuese, si dhe vendime të njëanshme të Qeverisë – nga ndalimi i dinarit serb, te instalimi i kryetarëve shqiptarë në veri dhe moszbatimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Në Uashington dhe në Evropë ekziston perceptimi se Qeveria në Kosovë nuk po ndihmon në përmirësimin e situatës. Ndaj, pezullimi i dialogut strategjik është një shenjë pakënaqësie dhe frustrimi”, u shpreh Kupchan.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/