(Radio Evropa e Lirë) – Rruga Komoran – Drenas – Skënderaj, një qendër e mjekësisë familjare në Drenas, një çerdhe në komunën e Malishevës, një fushë sporti po në këtë komunë janë vetëm disa nga dhjetëra projektet kapitale të planifikuara për këtë vit, por që nuk u realizuan.
Se përse ndodhi kështu, zyrtarët komunalë në Drenas e Malishevë nuk iu përgjigjën Radios Evropa e Lirë.
Paratë për projekte kapitale në Kosovë planifikohen me buxhetin e çdo viti kalendarik.
Me buxhetin e përgjithshëm të këtij viti prej 3.3 miliardë eurosh, për investime kapitale ishin ndarë 859 milionë euro.
Prej tyre, deri në tetor, u shpenzuan rreth 215 milionë euro, sipas raporteve të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), ndërsa në portofol mbeten edhe rreth 644 milionë.
Projektet në të cilat u investua këtë vit, por edhe viteve të kaluara, përfshijnë kryesisht: ndërtimin e rrugëve lokale dhe rajonale, blerjen e pajisjeve informative, kompjuterëve dhe automjeteve transportuese, renovimin e institucioneve publike, si: çerdhe, objekte spitalore, shkolla e të tjera.
Në katër vjetët e kaluar, nën qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, u ndanë gjithsej mbi 3 miliardë euro për projekte kapitale. Prej tyre u shpenzuan vetëm 1.6 miliard.
MFPT-ja nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se cila është arsyeja e mosshpenzimit të këtyre parave.
Një gjë e tillë nxiti kritika të ashpra nga opozita, e cila e konsideroi si tregues dobësie të Qeverisë Kurti.
Kjo, pavarësisht faktit se mjetet e ndara për shpenzime kapitale nuk u shpenzuan as në qeverisjet paraprake, të udhëhequra nga kryeministri Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës – tani në opozitë.
Në vitin 2017, për shembull, kur Haradinaj qeveriste në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, Nismën, Aleancën Kosova e Re, Listën Serbe dhe pakicat joserbe, u ndanë mbi 720 milionë euro për shpenzime kapitale, por u shpenzuan mbi 460 milionë.
Në çdo vit, nga 2017-ta e këndej, tepruan qindra miliona euro.
Instituti për Studime të Avancuara, GAP, publikoi më 19 nëntor raportin “Projektbuxheti 2025 – Analizë e të hyrave dhe shpenzimeve”, ku thuhet se efikasiteti në mbylljen e investimeve nga viti 2016 deri më 2023, ishte i ulët.
Në raport theksohet se “numri i projekteve të bartura nga viti në vit vazhdon të jetë i lartë” dhe se me ndërrimin e qeverive “ndërrohen edhe prioritetet e projekteve”.
Pa saktësuar se cilat janë, raporti përmend 264 projekte kapitale, që u planifikuan gjatë periudhës 2008-2019, e që nuk përfunduan dhe u bartën në buxhetin e vitit 2025, me një shumë prej 258 milionë eurosh të ndarë për to.
GAP-i, i cili monitoron punën e institucioneve të Kosovës, publikoi edhe në dhjetor të vitit të kaluar një raport, ku u tha se me buxhetin e vitit 2023, dhjetëra miliona euro u ndanë për projekte të filluara vite më parë.
Për shembull, mbi 22 milionë euro u ndanë për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës magjistrale Prishtinë-Mitrovicë, që nisi në mars të vitit 2010, ndërsa 20 milionë u ndanë për rehabilitimin e linjës hekurudhore Fushë Kosovë-Han i Elezit – projekt ky i nisur qysh në vitin 2016.
Çka thotë opozita?
Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë thonë se Qeveria aktuale ishte “më e dobëta” në realizimin e projekteve kapitale.
Ata i arsyetojnë qeverisjet e mëparshme, duke thënë se në kohën e tyre kanë nisur projektet.
“Ka shumë projekte që kjo qeveri i ka gjetur në proces dhe nuk janë afër përfundimit”, thotë për Radion Evropa e Lirë Arben Mustafa nga PDK-ja.
Në mesin e tyre, ai përmend autostradën Prishtinë-Gjilan, e njëjtë thotë se janë edhe rrugët Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Pejë, Prishtinë-Podujevë, stadiumi i Gjilanit e të tjera.
“Pra, nuk ka progres dhe nuk është arritur të sigurohet një vijueshmëri e këtyre projekteve”, sipas tij.
Për Pal Lekajn nga AAK-ja, Qeveria e tanishme ka dështuar edhe “në infrastrukturë shkollore e shëndetësore”.
Kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment nuk iu përgjigj Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila me kryeministrin Avdullah Hoti qeverisi në koalicion me disa parti të tjera nga qershori i vitit 2020 deri në mars të vitit 2021.
Ngjashëm nuk u përgjigjën as nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila mban pushtetin aktual.
Çka thonë ekspertët?
Prej vitesh, Zyra Kombëtare e Auditimit identifikon planifikimin e dobët, mungesën e kapaciteteve zbatuese, vonesat në procedurat e prokurimit si arsye të mosrealizimit të projekteve kapitale.
Sipas Blendi Hasajt, drejtor ekzekutiv në Institutin GAP, një arsye tjetër është edhe përfshirja e ministrive jokompetente, siç thotë ai, në investime kapitale.
Ai sugjeron që investimet kapitale t’i menaxhojë vetëm një ministri, si ajo e Infrastrukturës, për shkak të ekspertizës dhe ekipit më të përgatitur, ndërsa ministritë e tjera të fokusohen në reformat përkatëse.
“… sepse, për shkak të mungesës së specializimit, ministritë që nuk e kanë prioritet drejtimin e infrastrukturës, çalojnë në arritjen e afateve, në përgatitjen e planeve të prokurimeve me kohë. E gjithë kjo pastaj, në formë zinxhirore, ndikon edhe në realizimin e investimeve kapitale”, thotë Hasaj.
Shkrimin e plotë e gjeni në Radion Evropa e Lirë.
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
<!–
–>