Kujdes! Magnezi dhe këto barna mund të ndërveprojnë në mënyrë të rrezikshme

Kujdes! Magnezi dhe këto barna mund të ndërveprojnë në mënyrë të rrezikshme

Edhe pse i dobishëm për shëndetin, magnezi mund të ndërveprojë me disa medikamente duke ulur efektin e tyre ose duke shkaktuar pasoja serioze

Magnezi është një nga mineralet më të rëndësishme për organizmin: ai mbështet funksionimin normal të muskujve dhe nervave, rregullon ritmin e zemrës, forcon kockat dhe merr pjesë në qindra procese biokimike. Mungesa e tij lidhet me lodhje, ngërçe muskulare, aritmi dhe madje me rrezik më të lartë për sëmundje kronike, sipas National Institutes of Health (NIH).


Edhe pse gjendet natyrshëm në ushqime si arrat, drithërat, spinaqi dhe kakaoja, shumë njerëz marrin më pak nga sa rekomandohet dhe përdorin suplemente. Por kur merret në sasi të larta, mbi 350 mg/ditë nga suplementet (kufiri i sipërm i rekomanduar për të rritur, sipas NIH) dhe sidomos në kombinim me barna të caktuara, magnezi mund të ulë efektin e tyre ose të shkaktojë pasoja serioze për shëndetin, paralajmëron Mayo Clinic.

Më poshtë janë disa ndër kombinimet që kërkojnë kujdes të veçantë:

Antibiotikët

Disa antibiotikë, si doksiciklina, minociklina, ciprofloxacina dhe levofloxacina, mund të jenë më pak efektivë nëse merren njëkohësisht me magnez. Shkaku është se magnezi lidhet me antibiotikun në stomak dhe pengon absorbimin e tij, sqaron WebMD. Për pasojë, infeksioni mund të mos shërohet plotësisht. Prandaj, sipas Verywell Health, antibiotikun rekomandohet ta merrni së paku 2–6 orë para ose pas magnezit.

Barnat për osteoporozë

Alendronati dhe risedronati, që përdoren për forcimin e kockave, kanë absorbim të kufizuar nëse merren së bashku me magnezin. Kjo çon në humbje të efektit terapeutik, paralajmëron Mayo Clinic. Për këtë arsye, pas marrjes së këtyre barnave duhet të prisni 30–60 minuta para se të konsumoni magnez ose ushqime që e përmbajnë atë, transmeton Telegrafi.

Barnat për hipertension (bllokues të kanalit të kalciumit)

Barnat si amlodipina dhe diltiazemi veprojnë duke relaksuar enët e gjakut dhe duke ulur presionin e lartë. Magnezi ka një efekt të ngjashëm relaksues, ndaj kombinimi mund të shkaktojë rënie të tepërt të presionit, me pasoja si marramendje, dobësi ose humbje të vetëdijes, thekson Healthline. Para përdorimit të magnezit në këtë kombinim, konsultohuni gjithmonë me mjekun.

Diuretikët (barnat që largojnë lëngjet)

Diuretikët janë barna të shpeshta për hipertensionin dhe sëmundjet e zemrës. Disa prej tyre, si furosemidi dhe hidroklorotiazidi, përshpejtojnë humbjen e magnezit nga organizmi, duke rrezikuar hipomagnezemí (nivel të ulët të magnezit në gjak). Në të kundërt, diuretikët, si spironolaktoni, mund të rrisin nivelin e magnezit. Ky çrregullim i balancës minerale mund të shkaktojë dobësi muskulare dhe çrregullime të ritmit kardiak. Sipas Cleveland Clinic, mjeku duhet të monitorojë rregullisht nivelin e magnezit dhe të rregullojë terapinë nëse është e nevojshme.

Barnat për tiroiden

Levotiroksina, ilaç i përdorur gjerësisht për sëmundjet e gjëndrës tiroide, absorbohet më dobët kur merret së bashku me magnezin. GoodRx shpjegon se levotiroksina duhet marrë gjithmonë në mëngjes, me stomakun bosh, ndërsa suplementet me magnez ose antacidet që përmbajnë magnez duhen marrë vetëm pas të paktën katër orësh.

Përfundim

Magnezi është një suplement i vlefshëm për shëndetin, por kombinimi i tij me barna të caktuara kërkon shumë kujdes. Intervalet kohore, dozat dhe ndjekja e udhëzimeve mjekësore janë vendimtare. Konsultimi me mjekun është i domosdoshëm para çdo kombinimi të magnezit me medikamente, për të shmangur pasoja të rënda dhe për të siguruar që terapia të jetë sa më e sigurt dhe efektive. /Telegrafi/