Ku qëndron problemi me manganin në liqenin e Badocit? Shpjegon koordinatorja për ujë në IKShPK

Ku qëndron problemi me manganin në liqenin e Badocit? Shpjegon koordinatorja për ujë në IKShPK

Aktualisht uji në zonën e furnizimit nga Liqeni i Badocit është i sigurt për pije, por Burbuqe Nushi-Latifi, koordinatore për ujë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga United Hospital, ka shpjeguar arsyet pse vetëm liqeni i Badocit vazhdon të jetë objekt paralajmërimesh për moskonsumim të ujit për shkak të rritjes së vlerave të manganit.

Sipas saj, problemi buron që nga vetë struktura dhe qëllimi fillestar i liqenit.


“Liqeni i Badocit, kur është ndërtuar ka qenë i dedikuar për ujitje dhe për nevojat e minierave. Më vonë, me rritjen e popullatës dhe kërkesave për ujë të pijshëm, ka filluar të përdoret edhe për konsum njerëzor”, shpjegoi Nushi-Latifi.

Ajo tha se dallimi kryesor ndërmjet liqenit të Badocit dhe liqeneve të tjera si Batllava, Ujmani apo Radoniqi qëndron në mënyrën e tërheqjes së ujit.

“Në liqenin e Badocit, pika ku thithet uji, pyrgu thithës është vetëm një dhe ndodhet në fund të liqenit, në thellësi prej rreth 18 metrash. Kjo është e vetmja pikë nga ku mund të merret uji për dërgim në fabrikë”, tha ajo.

Sipas saj, bë krahasim me këtë, liqenet e tjera kanë struktura më të avancuara teknike që mundësojnë thithjen e ujit nga disa nivele të ndryshme të thellësisë, varësisht nga cilësia e ujit në ato nivele.

“Në Batllavë apo Ujman, për shembull ka katër apo pesë pika thithëse në nivele të ndryshme – mbi 5, 7 apo 8 metra që mundësojnë zgjedhjen e shtresës më të përshtatshme të ujit për konsum”, sqaroi ajo.

Nushi-Latifi tha se kjo strukturë e kufizuar e liqenit të Badocit, e kombinuar me vjetërsinë e tij dhe mungesën e mundësive për përmirësim të infrastrukturës, e bën më të ndjeshëm ndaj ndotjes dhe akumulimit të elementëve si mangani në shtresat e poshtme të ujit.

Për më shumë shikoni podcastin e plotë “Shëndeti në rend të parë”:

– YouTube www.youtube.com