Kryqi i Kuq: Dorëzimi i eshtrave të pengjeve izraelite në Gazë një “sfidë masive”

news image

Kryqi i Kuq ka pranuar se do të duhet kohë për të dorëzuar eshtrat e pengjeve izraelite që mbahen në Gazë, duke e konsideruar këtë një “sfidë masive”, për shkak të vështirësive në gjetjen e trupave mes rrënojave të territorit.

“Kjo është një sfidë edhe më e madhe sesa lirimi i njerëzve të gjallë. Kjo është një sfidë masive,” është cituar nga Reuters të ketë thënë zëdhënësi i Kryqit të Kuq, Christian Cardon.

Ai shtoi: “Mendoj se ekziston qartë rreziku që kjo të kërkojë shumë më tepër kohë. Ajo që po u themi palëve është se kjo duhet të jetë përparësia e tyre kryesore.”

Sipas Cardon, dorëzimi mund të zgjasë ditë ose javë dhe ekziston mundësia që disa trupave të mos u gjenden kurrë.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se hapat e ardhshëm për Izraelin dhe Gazën mbeten të pasigurt, edhe pse presidenti amerikan Donald Trump ka theksuar se lufta ka përfunduar dhe faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit ka arritur të kthejë 20 pengjet e gjalla në Izrael.

Megjithatë, pavarësisht nënshkrimit të një marrëveshjeje për paqe në Lindjen e Mesme, nuk ka një afat kohor për bisedime të tjera të nivelit të lartë, pasi pikat kryesore mbeten të pazgjidhura, raporton CNN.

Autoritetet izraelite kanë identifikuar zyrtarisht trupat e katër pengjeve. Familjet e pengjeve të vdekur kanë thënë se janë “të tronditura dhe të tmerruara” pasi 24 të tjerët nuk u kthyen.

Ndërkaq, më shumë se 1,700 të burgosur palestinezë dhe 250 të burgosur janë liruar. Disa prej tyre kanë pretenduar se kanë vuajtur abuzime gjatë vuajtjes së dënimeve në burgjet izraelite.

Në Gazë, Programi Botëror i Ushqimit ka bërë të ditur se synon të rrisë furnizimet me ndihmë humanitare në enklavë deri në fund të së martës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/